ZYRTARE: SHQIPTARËT DO TË MARRIN PJESË NË REGJISTRIMIN E POPULLSISË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 25. korrik 2022. Shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Serbi, nga 1 deri më 30 tetor. Për pjesëmarrje në regjistrim u pajtuan të gjitha partitë politike shqiptare, përfaqësuesit e të cilave, të hënën në Bujanoc, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për pjesëmarrje.

“Ky qëndrim është marrë pas konsultimit me OSBE-në, që është edhe garanci për një proces të rregullt dhe të suksesshëm të regjistrimit”, njoftojnë nga Komuna e Bujanocit.

Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, ndërsa portali ynë ka raportuar ditë më parë, se pjesëmarrja në këtë regjistrim ishte e kushtëzuar me plotësimin e disa kërkesave teknike.

Në fund të muajit maj në Bujanoc është mbajtur takim me kryetarin e komunës së Bujanocit Nagipo Arifi, përfaqësuesin e Qeverisë së Serbisë dhe Shefin e misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Bratu, i cili kishte deklaruar se shqiptarët nuk do të kenë asnjë arsye për të mos marrë pjesë në regjistrim.

Më pas u njoftua se për t’u regjistruar qytetarët nuk do të kenë nevojë për dokumente personale.

“Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, kësaj radhe kushtet e regjistrimit janë përmirësuar dukshëm, gjë që ka ndikuar në vendimin pozitiv për pjesëmarrje”, thuhet në deklaratë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *