Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 29. korrik 2022. Kryetari i Komunës së Bujanocit Nagip Arifi thotë se brohoritjet kundër tij në Bilac me gjasë kanë qenë të orkestruara dhe nuk tregojnë disponimin e vërtetë të qytetarëve ndaj pushtetit aktual.
Arifi nuk ka treguar se kush i ka organizuar disa banorë lokal të cilët brohorisnin “Nagip rrenci”, por dyshon për kundërshtarë politikë.
– Nuk vini në pushtet me postime në Facebook apo me orkestrime amatore të brohoritjeve të vjetruara, sepse ne jemi një komunitet i vogël ku të gjithë i njohin të gjithë – thotë kryetari i komunës.
Ngjarja në hapjen e parkut të lojërave për fëmijë në Bilaç paraprakisht është komentuar vetëm nga Arbër Pajaziti, lideri opozitar i Këshillit lokal të Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, duke thënë se brohoritjet tregojnë se çfarë mendojnë qytetarët për qeverisjen e Arifit.
Arifi, megjithatë, thotë se bëhet fjalë vetëm për “2-3 qëllimkëqinjë që u përpoqën të lënë në hije një punë të mirë, por dështuan”.
– Bilaçi para disa ditësh fitoi një tjetër investim dhe jam i bindur se qytetarët e këtij fshati e mirëpritën këtë investim si gjithë të tjerat, gjë që dëshmon edhe fakti se jemi fitues të shumëfishtë në zgjedhjet në këtë komunitet lokal dhe në të gjithë komunën e Bujanocit – deklaroi ai.
Ai theksoi se nuk është në pushtet për t’u pasuruar, pasi siç thotë ai, të gjithë e dinë shumë mirë se nuk ka nevojë për këtë.
– Sepse kam punuar dhe nuk kam qenë dembel, nuk jam as i pangopur e as mosmirënjohës, nuk jam i ndikuar nga interesat e individëve dhe grupeve, sepse përfaqësoj interesat e njerëzve që më kanë dhënë besimin e tyre dhe e gjithë kjo vërtetohet nga e kaluara – thotë Arifi.
Ai tha gjithashtu se Partia e tij Demokratike (PD) erdhi në pushtet për shkak të punës së mirë, jo vetëm fjalëve të mira.
– Ne mund të mos jemi më të mirët, por ju nuk keni më të mirë – thotë kryetari i komunës.
Ai konstatoi se qeveria aktuale është rezultat i zgjedhjeve të lira dhe se mund të “dënohet” vetëm me zgjedhje të lira.