MUSTAFA: SHQIPTARËT NË SERBI PO E PËSOJNË NGA VENDIMET E PRISHTINËS DHE BEOGRADIT

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 29. korrik 2022. Kryetari i Këshillit kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Ragmi Mustafa duke folur lidhur me vendimin e qeverisë Kurti për reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftime, ka thënë për Bujanovaçke, se shqiptarët nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë peng i marrëveshjes Prishtinë-Beograd.

Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës ka miratuar udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet serbe, me të cilin parashihet lëshimi i një certifikate që zëvendëson dokumentet personale, zbatimi i të cilit do të fillojë të hënën, më 1 gusht.

Si faktor kyç Mustafa ka theksuar respektimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe këtë vendim për reciprocitet e ka krahasuar me vendimin e Beogradit për mosnjohjen e diplomave.

– Është çështje respektimi i marrëveshjeve të Brukselit. Ky vendim do të prekë shqiptarët nga jugu i Serbisë, por ata u prekën edhe nga mosnjohja e diplomave. Ka marrëveshje, por diplomat e fituara nga shqiptarët në Prishtinë nuk janë njohur deri më tani. Në njëfarë mënyre, shqiptarët janë peng i marrëveshjes Prishtinë-Beograd – thotë Mustafa.

Ai ka theksuar se qeveria e Kurtit e ka marrë një vendim të tillë pa u konsultuar më parë me përfaqësuesit e komunitetit shqiptar nga jugu i Serbisë.

“Qeveria e Kurtit që në fillim ka thënë se do të bazohet në reciprocitet, prandaj nuk kemi pasur konsultime për këtë, por kemi pasur kërkesa në emër të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja”, ka shtuar Mustafa.

Duke folur për ndikimin e një vendimi të tillë te shqiptarët nga jugu i Serbisë, Mustafa tha se sigurisht që do të ndikojë në lëvizjen e njerëzve, por se shfaqja e gatishmërisë për zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit do ta lehtësonte shumë jetën e qytetarëve.

– Reciprociteti në letërnjoftime sigurisht që do të prekë shqiptarët, sepse ata lëvizin më së shumti nëpër vendkalimet kufitare Konçul dhe Preshevë, sidomos tani në sezonin e verës. Mendoj se në këtë rast, si në të gjitha të tjerat, duhet futur respekti i ndërsjellë i marrëveshjeve. E rëndësishme është që të dyja palët, qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë, të respektojnë atë që janë marrë vesh deri më tani – përfundoi ai.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *