KKSH: PËR 4000 FILLORISTË NË BUJANOC, PRESHEVË DHE MEDVEGJË, TEKSTET MËSIMORE NË GJUHËN SHQIPE FALAS

Bujanoc, 1 shtator 2022. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) në Serbi do të shpërndajë komplete tekstesh falas për të gjithë nxënësit e shkollave fillore në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.

“Gjithsej 4,010 nxënës të shkollave fillore dhe rreth 4,000 prindër të tyre janë liruar për herë të dytë nga barra financiare për tekste shkollore”, tha kryetari i KKSH-ës, Ragmi Mustafa.

Sipas tij, nxënësit e shkollave fillore këtë vit shkollor e nisin me 58 komplete tekstesh në gjuhën shqipe, sipas programeve të reformuara, ndërsa nxënësit e shkollave të mesme me 4 komplete tekstesh për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

Mustafa theksoi se ende nuk janë hartuar të gjitha tekstet mësimore në gjuhën shqipe për shkollat e mesme dhe se KKSH do të vazhdojë të punojë për këtë çështje.

Ai falënderoi zyrtarët e Kosovës, Ministrinë e Arsimit në Beograd, Trupin Koordinues dhe OSBE-në për gjithçka që është bërë deri më tani.

Në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë funksionojnë 15 shkolla në të cilat mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe me rreth 6000 nxënës dhe 1385 punonjës arsimor.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *