fbpx

KAMBERI I DREJTOHET VUÇIQIT: RECIPROCITET NË TË DREJTA DHE PAJTIM

 

Bujanoc, 13 shtator 2022. (Foto screenshot RTS) – Deputeti i Bujanocit, Shaip Kamberi, në seancën kushtuar Kosovës në Kuvend tha se Serbisë i duhet paqe me shqiptarët dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është me rëndësi jetike për të ardhmen e shqiptarëve që jetojnë në Serbi. Kamberi këmbënguli për reciprocitet në të drejtat ndërmjet serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi.

– Në kontekstin e marrëveshjes së ardhshme, reciprociteti është një parim adekuat nëse qëllimi është zgjidhja e problemeve me mjete politike. Kosova është e pavarur nga Serbia dhe çfarëdo që dëshironi të arrini atje, duhet ta arrini në marrëveshje me autoritetet e atjeshme. Serbët në Kosovë kanë të drejta të shumta të garantuara me kushtetutë, por shqiptarët dhe pakicat e tjera nuk i kanë këtu – tha Kamberi duke iu drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai ka theksuar se është logjike dhe legjitime që komuniteti shqiptar të kërkojë të njëjtin status që kërkon Serbia për serbët në Kosovë.

Sipas tij, për të krijuar kushte për kthimin e besimit tek komuniteti shqiptar, është e nevojshme që qeveria dhe institucionet shtetërore të tregojnë vullnet politik për integrimin e shqiptarëve, për të cilin është zotuar shteti i Serbisë.

– Mosnjohja e diplomave është një nga sulmet ndaj të rinjve shqiptarë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Presim që Qeveria e re të punojë për zbatimin e Planit 7-pikësh brenda afateve të përcaktuara saktësisht. Ai plan është miratuar në qershor të vitit 2013 – tha Kamberi.

Ai kërkoi gjithashtu ndërprerjen e pasivizimit të adresdave të vendbanimit dhe formimin e një komisioni parlamentar me synim vendosjen e të dhënave të sakta se sa adresa të shqiptarëve janë pasivuar, si dhe përcaktimin e masave për kthimin e tyre.

Ndër kërkesat e Kamberit është krijimi i një fondi të posaçëm zhvillimor për Bujanocin, Preshevën dhe Medvegjën, dyfishimin e buxhetit të Trupit Koordinues për projekte kapitale dhe subvencione për ekonominë lokale, si dhe për investime të huaja, duke pasur parasysh se, siç tha ai, këto janë komunat më të pazhvilluara.

– Të rinjtë shqiptarë, serbë dhe romë ikin çdo ditë sepse nuk kanë perspektivë. Këto komuna ngadalë por me siguri po bëhen shtëpi pleqsh, prandaj është koha që shteti të sigurojë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët – tha Kamberi.

Ai i bëri thirrje Vuçiqit që t’i zgjidhë këto probleme dhe ta bëjë Ballkanin më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më premtues së bashku me shqiptarët.

Kamberi kërkoi që Serbia të përballet me realitetin, që siç thotë ai është pavarësia e Kosovës, por edhe e kaluara, pra të pranojë dhe të kërkojë falje për krimet ndaj shqiptarëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published.