fbpx

KAMBERI RRETH KËRKESËS PËR BURGOSJEN E TIJ: E GJITHË KJO NA E KUJTON INKUIZICIONIN, KOSOVA ËSHTË E PAVARUR ME APO PA MUA

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 16 shtator 2022. Kërkesën që të arrestohet për shkak se në Kuvendin e Serbisë ka thënë se Kosova është e pavarur, deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi e ka krahasuar me inkuizicionin dhe djegien në dru.

– Kur është fjala për Kosovën, inkuizicioni ka marrë hov në Serbi, kështu që ata që flasin hapur për realitetin e Kosovës quhen tradhtarë ose armiq të Serbisë – deklaroi Kamberi.

Ai ka reaguar pasi deputetja e Partisë Socialiste të Serbisë (PSS) Snezhana Paunoviq ka kërkuar arrestimin e tij për shkak të një fjalimi në një seancë të posaçme të Kuvendit kushtuar Kosovës.

DEPUTETJA E PSS KËRKOI BURGOSJEN E SHAIP KAMBERIT: MË MIRË TANI SE SA TË NA VIE KEQ PAS PESË VITESH

Kamberi thotë se gjatë fjalimit të tij për Kosovën ka theksuar vetëm domosdoshmërinë e bërjes politikë me ambicie reale.

-Zonja Paunoviq kërkon të arrestojë deputetin, i cili në seancën e Kuvendit, duke e gëzuar lirinë e mendimit dhe të shprehjes që “garanton” Ligji për Kuvendin, kërkoi zbatimin e politikës së ballafaqimit me realitetin – thotë Kamberi.

Në vend të kësaj, tha ai, në parlament vepron inkuizicioni.

– Nëse thua të vërtetën, të kërcënojnë se do të djegin në turrë të drunjëve. Këtë e ka kërkuar deputetja Paunoviq, nënkryetare e Kuvendit – thotë Kamberi.

Ai krahasoi deputetët në parlamentin serb me ata që dënuan Giordano Brunon për herezi, me akuzën se ai “mohonte doktrinat themelore katolike”.

– Kështu po bëjnë tani deputetët serbë. Më vjen keq për kokëfortësinë e tyre në refuzimin e realitetit që mbretëron në Kosovë. Politika serbe ndaj Kosovës ende mbetet dogmatike dhe joreale – thotë Kamberi.

Kamberi porosit se “e vërteta mund të jetë e hidhur, por nuk guxon ta mohoni”.

– Me apo pa mua “toka do të vazhdojë të rrotullohet”. Me apo pa mua Kosova do të mbetet e pavarur – ka përfunduar ai.




Leave a Reply

Your email address will not be published.