fbpx

NË BUJANOC DO TË KETË NGROHJE, POR SHTRENJËTIMI ËSHTË I PASHMANGSHËM

 

Shkruan: D. Stoshiq

Bujanoc, 20 shtator 2022. Në Bujanoc nuk do të ketë vonesa në fillimin e sezonit të ngrohjes (15 tetor), por NP “Komunalia” thotë se ngrohja do të shtrenjtohet deri në fund të vitit.

– Vitin e kaluar kërkuam nga Këshilli komunal rritje çmimi dhe morëm miratimin për 10 për qind rritje, por kjo nuk do të thotë që nuk do të kërkojmë edhe sivjet. Para Vitit të Ri duhet korrigjuar çmimin – thotë për Bujanovaçken Ruzhdi Halili, drejtor i ndërmarrjes komunale.

Se sa mund të rriten këtë herë faturat e përdoruesve të ngrohjes nga ngrohtorja, Halili nuk ka mundur të saktësojë, duke shpjeguar se çmimi varet nga lëvizja në tregun e energjisë.

– Vitin e kaluar çmimi i blerjes së naftës ka qenë 67 dinarë, ndërsa tani është 115-120 dinarë, është rritur deri në 100 për qind, kështu që çmimi i ngrohjes do të varet nga lëvizja e çmimeve në tregun e energjisë – thotë Halili.

Duke folur për rezervat e naftës, ai tha se ndërmarrjes së shërbimeve komunale që nga viti i kaluar i kanë mbetur në magazinë 15 tonë dhe se rreth 50 tonë pritet të dorëzohen për dhjetë ditë.

– Prokurimi i 80 tonëve ka përfunduar deri në janar. Pas janarit duhet të ketë një prokurim tjetër publik dhe kjo do të varet nga situata e përgjithshme në tregun e energjisë. Jemi në kontakt me furnizuesin për të dorëzuar 50 tonë në dhjetë ditët në vijim – thotë drejtori.

Ai ka konfirmuar se teknikisht gjithçka është gati për fillimin e sezonit të ngrohjes, ndaj nuk do të ketë vonesa.

– Gjatë verës kemi bërë disa riparime dhe kemi punuar në përgatitje, kështu që nuk do të ketë probleme dhe do të fillojmë sezonin e ngrohjes në kohë – përfundon ai.

Sipas çmimores aktuale të ndërmarrjes komunale, amvisëritë për ngrohje qendrore paguajnë 154 dinarë për metër kub, institucionet paguajnë 316 dinarë, ndërsa subjektet afariste paguajnë 473 dinarë për metër katror.

Në një bisedë me qiramarrësit e pallatit “Soliteri”, e cila përdor shërbimet e ngrohtores së qytetit, mësuam se fatura vjetore e ngrohjes është rreth 850 euro për një apartament 60 metra katrorë.

Përveç objektit “Soliteri”, me energji termike nga ngrohtorja e qytetit furnizohen edhe shkolla e mesme “Sveti Sava”, Shtëpia e kulturës, Biblioteka, Gjykata dhe godina e Komunës.




Leave a Reply

Your email address will not be published.