Bujanoc, 6 tetor 2022. Partia për Veprim Demokratik (PvD) e Shaip Kamberit kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në Preshevë, sepse, siç thonë ata, shumica qeverisëse nuk ka bërë asgjë për këtë komunë më të varfër në Serbi, përveç keqpërdorimeve dhe shpenzimit të parave publike për projekte familjare.
“Favorizimi i familjarëve, duke filluar nga punësimi i të afërmve të Kryetarit të Kuvendit, përmes financimit të projekteve të kompanive të të afërmve, siç u pa edhe në projektin e fundit për rregullimin e shtratit të lumit në Rahovicë, ku për këtë punë u zgjodh një anëtar i familjes së tij të ngushtë. Kompania që ka fituar tenderin nuk është marrë asnjëherë me projekte të tilla dhe as nuk ka makineri për të kryer punët e nevojshme”, thonë nga PVD.
Me Preshevën është duke qeverisur Alternativa për Ndryshim, lideri i së cilës është Shqiprim Arifi, kryetar i komunës, në koalicion me Lëvizjen për reforma të Sami Salihut, i cili kryeson parlamentin lokal.
Ndryshimi i qeverisë u bë më 11 prill të këtij viti, kur mazhoranca e re zëvendësoi kryetaren e mëparshme, Ardita Sinani nga PVD.
Kjo parti opozitare thekson se tashmë është e qartë se qëllimi i Arifit dhe Salihut nuk ishte vetëm marrja e pushtetit përmes tregtisë politike, por zhvatja e qytetarëve.
Si shembull keqpërdorimi kanë përmendur rastin e renovimit të zyrës së kryetarit, i cili do t’u kushtojë qytetarëve, siç thonë ata, 40 mijë euro, ndoshta edhe dyfish më shumë.
– Informacioni se sa do të kushtojë rinovimi i kabinetit për nevojat luksoze të Shqirim Arifit është marrë me insistimin e organeve kompetente. Sepse në vazhdim po tentohet fshehja e informatave lidhur me këtë projekt, i cili realisht do t’u kushtojë taksapaguesve të komunës së Preshevës mbi 40 mijë euro dhe dyshohet se për këtë projekt ka pasur aneks të kontratës, me të cilin vlera e punimeve mund të dyfishohet – sipas PVD.
Në deklaratë po ashtu thuhet se përderisa Arifi dhe Salihu shpenzojnë shuma enorme për projektet e familjarëve të tyre, punësimin e të afërmve dhe luksin e panevojshëm, ata anulojnë subvencionet për fermerët, me arsyetimin se komuna nuk ka para.
“Për të gjitha këto, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet”, përfundojnë nga partia e Kamberit.