KKSH KËRKON MONITORIM NDËRKOMBËTAR TË REGJISTRIMIT NË MEDVEGJË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 12 tetor 2022. Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve (KKSH) ka kërkuar të mërkurën monitorim ndërkombëtar të procesit të regjistrimit të popullsisë në komunën e Medvegjës.

Sipas kryetarit të KKSH-së, Ragmi Mustafa, këshilli kërkon “monitorim ndërkombëtar dhe të pavarur të procesit në komunën e Medvegjës për shkak të mos respektimit të normave të regjistrimit të popullsisë”.

Sipas Mustafës, kjo kërkesë ka ardhur pasi drejtuesit e Komunës së Medvegjës kanë refuzuar kërkesat e KKSH-së, por edhe përpjekjet e Misionit të OSBE-së, Bashkimit Evropian dhe Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

-Komuna e Medvegjës ka vetëm 3 shqiptarë nga 21 regjistrues. Dy regjistruesit që njohin gjuhën shqipe nuk u caktuan në vendbanimet ku është përqendruar popullsia shqiptare. Komuna e Medvegjës nuk ka ofruar asistent për përkthim në vendbanimet shqiptare, dhe sipas njohurive tona regjistruesit nuk e bëjnë regjistrimin sipas rregullave dhe sipas të dhënave të ofruara nga të anketuarit – thotë Mustafa.

Dyshohet se komisioni vendor i regjistrimit nuk zbaton direktivat e Entit Republikan të Statistikave.

– Po ashtu, nuk merr parasysh kërkesat e anëtarit të komisionit vendor të regjistrimit nga KKSH-ja dhe shpërfill kërkesat e regjistruesve që dinë gjuhën shqipe për t’u vendosur në vendbanimet ku janë të përqendruar shqiptarët – thotë kreu i ASK-së.

Sipas tij, kjo qasje e komisionit të regjistrimit e rrezikon procesin e regjistrimit të popullsisë në të cilin, pas dy dekadash, po merr pjesë edhe komuniteti shqiptar në komunën e Medvegjës.

“Kërkesa për monitorim të pavarur dhe ndërkombëtar, për të numëruar të gjithë shqiptarët, pa manipuluar numrat në Medvegjë, është dërguar në misionet diplomatike të OSBE-së, BE-së, OKB-së, SHBA-së, Gjermanisë, Francës e të tjera”, ka theksuar Mustafa.

Ai shtoi se shqiptarët mbeten të përkushtuar për numrin e saktë të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në procesin e regjistrimit.

Shqiptarët marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, pas bojkotit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *