NUMRI I BANORËVE TË REGJISTRUAR NË PRESHEVË SHKON NË 50.000, MË SHUMË SE NË BUJANOC

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 23 tetor 2022. Numri i qytetarëve të regjistruar në komunën e Preshevës ka kaluar 50.000, nëntë ditë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë në Serbi. Hevzi Ramadani nga Administrata Komunale të shtunën i ka bërë të ditur të dhënat për numrin e të regjistruarëve.

Sipas të dhënave zyrtare të komisionit lokal të regjistrimit, deri më 20 tetor në komunën e Bujanocit janë regjistruar 42.957 qytetarë.

Numri i personave të regjistruar në të dyja komunat e ka tejkaluar shumë vlerësimin e ekspertëve ndërkombëtarë nga viti 2015, sipas të cilit komuna e Bujanocit në vitin 2011 kishte 38.300 banorë, ndërsa komuna e Preshevës 29.600.

Ekspertiza e atëhershme është bërë sepse shqiptarët kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.

Diferenca e madhe mes shifrave nga vlerësimi i lartpërmendur dhe regjistrimi që është në vazhdim është deri diku i pritshëm, duke pasur parasysh se tani po numërohen të ashtuquajturit jorezidentë, përkatësisht qytetarët që ndodhen jashtë vendit.

Politikanët shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva, para dhe gjatë regjistrimit, vazhdimisht i ftojnë bashkëkombasit e tyre që të marrin pjesë në proces, duke kërkuar një reagim masiv.

Thirrjen e fundit e ka bërë deputeti i Bujanocit, Shaip Kamberi, i cili u ka bërë apel shqiptarëve në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të përgjigjen masivisht në regjistrimin e popullsisë, për të “treguar se janë shumicë”.

“I inkurajoj qytetarët dhe regjistruesit që të vazhdojnë me regjistrimin. Regjistrimi ta përfshijë edhe secilin qytetar shqptar. Të tregojmë sa jemi dhe të dëshmojmë se jemi shumicë”, tha ndër të tjera Kamberi.

Regjistrimi përfundon më 31 tetor.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *