POLITIKANI KOSOVAR: KURTI DUHET TË KËRKOJË ASOCIACION TË KOMUNAVE SHQIPTARE NË JUG TË SERBISË

Bujanoc, 21 tetor 2022. Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valjon Murati, thotë se nëse Kosovës i kërkohet zbatimi i modelit të Asociacionit të Komunave Serbe (ASK), të njëjtën gjë duhet ta kërkojë edhe pala kosovare për shqiptarët në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.

Murati beson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hapësirë të mjaftueshme për manovrim në këtë moment, kur gjithnjë e më shumë po përflitet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

“Kryeministri Kurti ka hapësirë për manovrim. Nëse imponohet AKS, e njëjta gjë duhet kërkuar edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, dmth në qendër të marrëveshjes nuk duhet të jetë njohja, por reciprociteti. Kjo do të ishte një zgjidhje evropiane”, ka thënë Murati në T7, transmeton portali kosovar Lajmi.net.

Ai ka vlerësuar se Kurti nuk do ta pranojë marrëveshjen me Serbinë, me Asociacionin brenda kësaj pakoje.

“Kurti do ta ketë problem ta pranojë këtë marrëveshje me AKS, pa këtë mendoj se do ta pranojë marrëveshjen”, deklaroi ai.

Murati pohon se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë një marrëveshje që do të sjellë stabilitet në rajon dhe që, siç thotë ai, do ta nxjerrë Serbinë nga orbita e ndikimit rus dhe do ta afrojë me Perëndimin.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *