KURTI KUNDËR KËRKESËS AMERIKANE: NUK KA SHTYERJE TË AFATIT PËR RIREGJISTRIMIN E TARGAVE KOSOVARE

 

Bujanoc, 25 tetor 2022. Nuk do të ketë shtyrje të afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa të Kosovës, tha të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

– Tashmë e kemi shtyrë një herë afatin. Në vend të 30 shtatorit, është caktuar data 31 tetor si data e fundit deri në të cilën të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjete me targa të vjetruara do të mund t’i ndërrojnë ato me targa legale. Shumica dërrmuese e serbëve në Kosovë tashmë i kanë ndërruar targat – tha Kurti, transmeton Koha.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë javën e kaluar, i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka kërkuar që afati i ri-regjistrimit të shtyhet për 10 muaj ndërkohë të njëjtën kërkesë e ka bërë edhe Bashkimi Evropian.

Kurti ka shtuar se fushata është duke vazhduar për të ndikuar tek qytetarët që të marrin targat RKS dhe t’i heqin të tjerat, të cilat, sipas tij, janë të kundërligjshme.

Sipas tij, këto masa nuk janë kundër serbëve, por për serbët.

Ai thotë se serbët nuk mund të jenë qytetarë të barabartë në Kosovë nëse kanë targa të ndryshme.

– Dhe kur partnerët na japin sugjerime, ne i marrim seriozisht dhe i trajtojmë me kujdes. Jam në kontakt të vazhdueshëm me Ministrin tim të Brendshëm dhe Drejtorin e Policisë. Ne bashkëpunojmë me komandantin e KFOR-it, me ambasadorin amerikan dhe me Departamentin e Shtetit. 135.000 qytetarë serbë kanë letërnjoftime të Kosovës, kështu që edhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për të gjithë komunitetin, por për pakicën që duhet të ndërrojë targat – tha ai.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *