fbpx

POLITIKANËT NGA BUJANOCI DHE PRESHEVA TE KRYETARJA E KOSOVËS: REGJISTRIMI TEMË KRYESORE

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 24 tetor 2022. Liderët politikë të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë janë takuar të hënën në Prishtinë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku tema kryesore e takimit ka qenë regjistrimi aktual i popullsisë.

“Përgjigja masive ndaj regjistrimit do të thotë fuqizim politik dhe institucional”, tha Osmani pas takimit, duke ftuar shqiptarët e tri komunave të marrin pjesë në regjistrim.

Osmani deklaroi se dalja masive ishte përgjigje ndaj “politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të zbatojë spastrim etnik me masa administrative”, njoftoi kabineti i saj.

Ajo, siç u tha, ofroi mbështetjen e institucioneve dhe misioneve diplomatike të Kosovës që të regjistrohen të gjithë shqiptarët nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera.

“Presidentja Osmani bëri thirrje për bashkimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për të hequr pengesat që Serbia i krijon në atë proces”, thuhet në komunikatë.

Shtohet se presidentja e Kosovës në të gjitha takimet me përfaqësuesit ndërkombëtarë flet për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilat, siç thuhet, janë pasojë e politikave të Qeverisë së Serbisë.

Në takim morën pjesë kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, kryetari i Preshevës Shqiprim Arifi, deputeti i Bujanocit Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Ragmi Mustafa.




Leave a Reply

Your email address will not be published.