Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 26 tetor 2022. Liderët politikë të shqiptarëve në Bujanoc dhe Preshevë morën premtimin nga i dërguari special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se do të punojnë që të takohen me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, thotë deputeti nga Bujanoci Shaip Kamberi.
-Ne morëm një premtim nga Escobar se do të fliste me Lajçakun dhe do të propozonte një takim me ne. Ne e kërkuam atë takim dhe presim që kësaj radhe të ketë përgjigje pozitive, sepse çështja e Luginës duhet të jetë temë e dialogut – theksoi Kamberi, transmeton Koha e Prishtinës.
Krerët shqiptarë kanë vizituar së fundmi Shtetet e Bashkuara, ku janë takuar me Escobarin.
Kamberi thotë se në atë takim kanë ripërsëritur qëndrimin se është e papranueshme që zyrtarët e BE-së të takohen me liderët e serbëve të veriut të Kosovës që janë në listën e zezë amerikane dhe të refuzojnë të takohen me përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi.
Sipas tij, Departamenti i Shtetit ka përsëritur kërkesën që Lugina e Preshevës, siç i quajnë ata komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, të përfshihet në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
– Nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve nëse Serbia vazhdon t’i trajtojë shqiptarët e Luginës së Preshevës me metoda të diskriminimit perfid, që në fund të fundit është arsyeja pse Lugina e Preshevës po zbrazet dhe rinia shqiptare po largohet – tha Kamberi.