ZYRTARËT E OSBE-së PA DEKLARATA NË BUJANOC, ARIFI: MBI REGJISTRIMIN DHE TË DREJTAT E SHQIPTARËVE

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 28 tetor 2022. Kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi konfirmoi se me përfaqësuesit e OSBE-së, të cilët kanë vizituar sot Bujanocin, ka biseduar për regjistrimin aktual të popullsisë dhe të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Bratu dhe Komisioneri i Lartë i OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Kairat Abdrahmanov, nuk dolën para gazetarëve dhe nuk dhanë deklarata për media pas takimit me Arifin, kështu që opinioni u privua nga qëndrimet e tyre për këto çështje.

Pas takimeve të ndara, u deklarua vetëm Arifi.

“Me Abdrahmanov kemi biseduar për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi, veçanërisht të komunitetit shqiptar. E ritheksova domosdoshmërinë e njohjes më të shpejtë të diplomave dhe zhvillimit ekonomik që do të sillte prosperitet dhe paqe. Kam kërkuar edhe zbatimin e Planit 7-pikësh. Tema e bisedës me ambasadorin Bratu ishte regjistrimi i popullsisë. E njoftova për ecurinë e procesit dhe gjeta rastin ta falënderoj për kontributin e dhënë në përgatitjet e këtij procesi”, ka deklaruar ai në FB.

Pas takimeve në Komunë, zyrtarë të OSBE-së vizituan Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *