Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 31 tetor 2022. Në komunën e Bujanocit dhe Preshevës deri më tani janë regjistruar 113.000 qytetarë, që është 35.000 më shumë se regjistrimi i 20 viteve më parë. Sipas nënkryetarit të komisionit lokal të regjistrimit në Bujanoc, Kastriot Jakupi, regjistrimi në komunën e Bujanocit ende nuk ka përfunduar dhe regjistruesit janë ende në terren sot, ditën e fundit të regjistrimit.
Edhe pse sot duhet të përfundojë regjistrimi zyrtar, Instituti i Statistikave të Republikës njoftoi se në disa komuna do të shtyhet afati, ndërsa gjatë ditës do të bëhet e ditur zyrtarisht se ku dhe për sa ditë do të shtyhet regjistrimi.
Deri më 29 tetor, numri i qytetarëve të regjistruar në komunën e Bujanocit është 54.234, pra gati 11.000 më shumë se në regjistrimin e vitit 2002, në të cilin kanë marrë pjesë edhe shqiptarët.
Në Preshevë dallimi është edhe më i madh – në këtë komunë deri më 30 tetor janë regjistruar 58.845 banorë, siç ka bërë të ditur kryeshefi i Administratës Komunale, Hevzi Ramdani, ndërsa rezultati zyrtar i regjistrimit të 20 viteve më parë ka qenë 34.904 banorë.
Shqiptarët bojkotuan regjistrimin e vitit 2011 dhe rezultati zyrtar tregoi se komuna e Bujanocit ka 12,989 serbë dhe 4,576 romë.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, tha se pret që regjistrimi të tregojë se në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë janë mbi 100.000 shqiptarë, duke iu përgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili shprehu dyshime se Regjistrimi do të përcaktojë numrin e saktë të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, sepse, siç u tha, shqiptarët raportojnë anëtarë të familjes që për vite me radhë nuk jetojnë në jug të Serbisë.
Në nivel të gjithë vendit, një ditë para përfundimit të procesit të këtij viti janë regjistruar 6.2 milionë banorë, ndërsa në vitin 2011 regjistrimi ka treguar se Serbia kishte 7 milionë e 186 mijë banorë.