fbpx

MARRIN FUND VUAJTJET E MUKIT: HUMANISTË NGA BUJANOCI PAGUAN OPERIMIN E TUMORIT DHE SHPËTUAN QENIN E BRAKTISUR

Shkruan: Ivana Jovanoviq

Bujanoc, 12. dhjetor 2022. Zhuqko, ose Muki, siç e quan e bija e njërit prej heronjve të kësaj storie, një qen i braktisur i rrugës, mori një shans të ri në jetë falë një grupi human nga Bujanoci. Natasha Popoviq, Stojan Tane Trojanoviq, Miodrag Mitrev alias Mija Kabran dhe Zoran Jovanoviq kanë mbledhur para dhe kanë paguar për operacionin e tumorit të këtij qeni, të cilin e njeh i gjithë Bujanoci.

Zhuqko luftoi me tumorin për disa muaj dhe këta dashamirës të kafshëve vendosën ta ndihmonin.
Ekonomisti Stojan Trojanoviq për Bujanovaçke tregon se si dukej e gjitha kjo storie:
– U organizuam spontanisht gjatë një fundjave, unë, Mija, Natasha, Zorani dhe tashmë të hënën, më 24 tetor, me makinën e Natashës e çuam Zhuqkon në operacion në Vranjë. Procedura zgjati më shumë se dy orë dhe tumori u hoq me sukses, thotë Trojanoviq.

Çmimi i të jetuarit në rrugë: Zhuqko ose Muki është sërish i gëzuar

Sipas rekomandimit të veterinerit, Zhuqko u izolua për dhjetë ditë, në mënyrë që plaga e tij të mos infektohej. Lokali i Stojanit u bë strehim i këtij qeni, ndërsa Mija merrej me shëtitjet e përditshme. Ky qen i shenjuar me çip numër 9899 u shërua me sukses dhe sot është i shëndetshëm, i lumtur ndërsa agonia disa mujore i takon së kaluarës.
I pyetur se sa kohë e njeh këtë qen rruge, Stojan përgjigjet për portalin tonë:

– E kam vërejtur gjatë pandemisë dhe që atëherë jam kujdesur për të. Unë kam gjithmonë granula me vete dhe dita ime fillon duke ushqyer miqtë e mi të rrugës, Zhuqkon, Petkanin dhe Bardhokun, përpara se të shkoj në punë. Ata janë qen paqësorë, por nuk dorëzohen, detyrohen të mbrohen kur dikush i sulmon, thotë Tane.

Ai shton se nuk mund t’i kuptojë njerëzit që i hedhin kafshët shtëpiake në rrugë, sepse ai vetë ka tre qen që janë si anëtarë të familjes së tij. Ai beson se qyteti ka nevojë për një azil që do të kujdeset në mënyrë humane për qentë e braktisur dhe qytetarët e interesuar mund të adoptojnë një kafshë. Ai gjithashtu thotë se do të ishte mirë të krijohej një shoqëri për mbrojtjen e kafshëve, ndërsa për kryetar do të sugjeronte Mija Kabranin.

Me shpresën se do të realizohet dhe me moton “Sa më shumë njoh njerëzit, aq më shumë i dua kafshët” Stojani e mbyll intervistën për portalin tonë.
Zorani është gjithashtu një dashamirës i madh i qenve, ndaj pa menduar e pranoi propozimin e Stojanit për të ndihmuar Zhuqkon.

– Unë jam një dashamir i madhë i qenve dhe e kam një të tillë. Përndryshe, këtë qen të lagjes e njoh prej pesë vitesh. Unë kam qenë vazhdimisht dëshmitar i situatave kur kalimtarët e ngacmojnë pa qenë të provokuar, ndaj i kuptoj reagimet e tij të herëpashershme. Për shkak të mënyrës së jetës në rrugë, unë dhe vajza ime e quajmë Muki. Për kënaqësinë e saj, ai gjithmonë na bashkohet për shëtitje, madje kemi një lodër të mbushur me emrin e tij, thotë Zorani.
Ai shton se nuk i pëlqen që për zgjidhjen e problemit të qenve endacak është përzgjedhur një kompani kontroverse dhe se tashmë ka vënë re nëpër rrugët e qytetit qenë endacakë të rinjë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *