BUXHETI I KOMUNËS SË BUJANOCIT 1.66 MILIARDË DINARË, JA SE SI DO TË SHPENZOHEN PARATË E QYTETARËVE

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 20. dhjetor 2022. Buxheti i komunës së Bujanocit për vitin 2023 do të jetë 1.66 miliardë dinarë, thuhet në projektvendimin që u miratua të martën nga Këshilli i komunës. Për projektet e infrastrukturës rrugore janë planifikuar 250,5 milionë dinarë, ndërsa kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, tha se nëse plotësohen të gjitha kërkesat e komuniteteve lokale, duhet të ndahen rreth 350 milionë. Sekretari i Këshillit të komunës, Murat Dalipi, ka refuzuar kërkesën e gazetarit të Bujanocvaçkes për ta marrë projektvendimin për buxhetin dhe shpërndarjen e mjeteve nga Trupi Koordinues ndërsa kryetari Arifi sërish ka “polemizuar” me publikimet e portalit tonë.

– Vazhdimisht mund të dëgjojmë kritika se asfalti nuk hahet, ndërsa të gjithë e kërkojnë pikërisht këtë – tha Arifi në seancën e Këshillit Komunal.

Deri më tani, projekti më i shtrenjtë, nga qindra të tillë në pozicionin e infrastrukturës rrugore, është rindërtimi i unazës nga rruga e Gjilanit drejtë Tërnocit, për të cilën janë planifikuar 54.5 milionë dinarë.

Nga 95.4 milionë dinarë që Trupi Koordinues (KT) do të investojë në komunë vitin e ardhshëm, 30 milionë do të shkojnë në unazën e lartpërmendur.

Komuniteti shqiptar do të marrë rreth 54 milionë dinarë (56 për qind) nga TK, pa llogaritur projektet e “përbashkëta”, gjegjësisht investimet në zonat ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe rom.

Projektbuxheti përfshin edhe 251 milionë dinarë për ndërtimin e sallës sportive në shkollën në Bilaç.

20 milionë janë planifikuar për stimulim në ndërmarrësi, 4 më pak se këtë vit, ndërsa 14.5 milionë janë planifikuar për subvencione për fermerët.

Ndihma e njëhershme për studentët arrin në 15 milionë, kurse praktika profesionale do të financohet me 25 milionë dinarë, të cilët janë transferuar nga buxheti i këtij viti.

Komuna vitin e ardhshëm do të vazhdojë të financojë shujtën e nxënësve në shkollat fillore me 27 milionë dinarë.

Siç tha Arifi, qytetarët dhe të rinjtë do të marrin drejtpërdrejt rreth 80 milionë dinarë nga buxheti.

Klubet sportive mund të llogarisin në subvencione prej gjithsej 6 milionë dinarë, ndërsa 5.5 milionë dinarë janë të destinuar për media.

Është rritur me 12.5 për qind shuma për pagat e punonjësve në sektorin publik, sa do të rriten pagat në nivel të shtetit nga 1 janari.

NP “Komunalia” do të marrë 17 milionë dinarë nga buxheti komunal në kuadër të Programit të veçant mbështetës nga komuna.

Nga kjo shumë, 6,3 milionë dinarë do të shkojnë për riprogramimin e borxhit të energjisë elektrike, ndërsa 6 milionë dinarë janë planifikuar për riparimin e shatërvanit në sheshin e qytetit.

Arifi, si zakonisht, edhe kësaj radhe ka “polemizuar” me postimet e portalit tonë.

Përkatësisht, ai u përpoq t’i mohojë pretendimet e Bujanoçkes se nuk është mbajtur debat publik për buxhetin, duke thënë se për buxhetin është diskutuar me kryetarët e bashkësive lokale, përfaqësues të ndërmarrjeve dhe enteve publike.

Në tekstin e publikuar të hënën, nuk është kontestuar asgjë, por vetëm se është konstatuar nuk ka pasur diskutim publik, ku mund të dëgjohen mendimet e qytetarëve se si do të shpenzohen paratë e tyre, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe shefi i kabinetit të kryetarit, Sali Salihi.

Ndryshe, për projektbuxhetin nuk ka pasur asnjë diskutim nga anëtarët e Këshillit komunal, përveç një pyetjeje për ndarjen e një milion dinarëve për Kryqin e Kuq të Bujanocit.

Buxhetin e ka prezantuar kryeshefi i Drejtoratit të financave, Boban Pavlloviq.

Projektbuxheti do të diskutohet në seancën e Kuvendit të premten (23 dhjetor).




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *