REZULTATET E REGJISTRIMIT: KOMUNA E BUJANOCIT I KA 42.623 BANORË, EDHE PSE ISHIN REGJISTRUAR 12.000 MË SHUMË

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 21. dhjetor 2022. Sipas rezultateve të para të regjistrimit të popullsisë në vitin 2022, të publikuara të mërkurën nga Enti republikan statistikor (ERS), komuna e Bujanocit zyrtarisht ka 42.634 banorë, që është për 12.050 më pak se numri i të regjistruarëve (54.684). Dallimi në mes të numrit të përgjithshëm të të regjistruarëve dhe numrit të banorëve “të vërtetë”, sipas kritereve të ERS-së, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë është rreth 40.000.
Numri i përgjithshëm i banorëve në të tri komunat është 84.169 dhe janë regjistruar 123.852 qytetarë.
Duhet bërë dallimi ndërmjet numrit të të regjistruarve, numrit të banorëve të regjistruar dhe numrit të përgjithshëm të banorëve.
Siç njofton ERS, informacioni për numrin e banorëve të regjistruar është nxjerrë në përputhje me konceptin e “popullatës së zakonshme”, që përfshin personat që kanë jetuar në atë vend në mënyrë të vazhdueshme për të paktën 12 muaj para momentit kritik të regjistrimit si dhe personat që kanë jetuar në atë vend për më pak se 12 muaj, por me qëllim që të qëndrojnë atje për të paktën një vit.
Numri i përgjithshëm i banorëve përfaqëson shumën e banorëve të regjistruar dhe shtesat nga burime administrative, si p.sh., Sistemi i Unifikuar Informativ i Arsimit dhe Evidenca e Fondit të Sigurimeve Pensionale dhe Invalidore.
Kujtojmë se pas përfundimit të regjistrimit në tetor, liderët politikë të shqiptarëve në jug të Serbisë deklaruan se regjistrimi ka treguar se në Serbi jetojnë rreth 100.000 shqiptarë, prej të cilëve 96.000 jetojnë në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Shqiptarët bojkotuan regjistrimin e vitit 2011.
Sipas rregullave të regjistrimit të këtij viti, të drejtën e regjistrimit kishin shtetasit që prej vitesh jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, në bazë të një numri unik identiteti dhe për regjistrim nuk kërkohej asnjë dokument identifikimi.

Dallimi ndërmjet numrit të regjistrimeve dhe numrit të banorëve, sipas kritereve të ERS-së, është më i madhi në komunën e Preshevës.

Gjatë muajit tetor aty janë regjistruar 60.568 qytetarë, por sipas rezultateve të ERS-së numri i banorëve është 35.097, pra diferenca është 25.471.

Komuna e Medvegjës ka 6438 banorë edhe pse janë të regjistruar 8600.

Meqë ra fjala, numri i banorëve në të gjithë vendin është më i ulët për 495,975 krahasuar me regjistrimin e vitit 2011.

Regjistrimi, i cili zyrtarisht përfundoi më 17 nëntor, tregoi se në Republikën e Serbisë jetojnë 6.690.887 banorë.

– Rezultatet e para të regjistrimit përmbajnë të dhëna bazë për numrin total të personave të regjistruar, numrin e banorëve, amvisërive dhe banesave, sipas situatës së datës 30 shtator 2022 dhe janë subjekt i ndryshimeve gjatë përpunimit të të dhënave statistikore. Rezultatet përfundimtare të regjistrimit do të publikohen në mënyrë suksesive nga prilli 2023 deri në qershor 2024 – njoftoi Miladin Kovaçeviq, drejtor i ERS-së, raportoi N1.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *