RRITET NUMRI I PACIENTËVE NË AMBULANCËN KOVID, NJËRI DËRGOHET NË KRUSHEVC

Shkruan: I. Jovanoviq

Bujanoc, 5 janar 2023. Nga fillimi i vitit numri i ekzaminimeve në Ambulancën Covid në Shtëpinë e shëndetit në Bujanoc është në rritje, janë konfirmuar 4 raste me Covid, ndërsa një pacient është transportuar në Krushhevc, iu tha për portalin tonë në Shtëpinë e shëndetit.
Mes të sëmurëve është edhe një punonjës shëndetësor.
– Që nga fillimi i këtij viti ka një rritje të dukshme të numrit të ekzaminimeve në Ambulancën Covid. Vetëm ditën e djeshme kanë ardhur për ekzaminim 50 pacientë, janë bërë 19 analiza, 1 prej të cilave ka rezultuar pozitiv. Bëhet fjalë kryesisht për pasqyra më të lehta klinike – thotë për Bujanovaçken drejtoresha e Shtëpisë së shëndetit, Dr. Daliborka Pavlloviq.
Pacientët që vijnë për ekzaminim zakonisht kanë simptoma më të lehta si dhimbje të fytit, kollë irrituese, ngjirurit e zërit dhe rrufë.
Ende nuk ka pasur raste të bronhopneumonisë.
– Jo të gjithë pacientët që kalojnë nëpër Ambulancën e Covid janë pacientë me Covid. Ka filluar edhe virusi respirator sezonal, prandaj është mirë që të bëhet ekzaminimi në kohë – shton doktoresha Pavlloviq.
Situata për momentin është nën kontroll, por duke qenë se është sezon festash dhe se numri i pacientëve të rinj pritet të rritet, Shtëpia e shëndetit apelon tek bashkëqytetarët që të respektojnë masat parandaluese, të mbajnë maska, të mbajnë distancë, të mos shkojnë në punë nëse kanë probleme me frymëmarrjen dhe të paraqiten në kohë në Ambulancën Covid.
Klinika Covid është e hapur çdo ditë nga ora 08:00 deri në orën 17:00.
Sipas raportit të fundit të Entit të shëndetit publik në Vranjë, në 24 orët e kaluara në territorin e rrethit të Pçinjës janë testuar 337 persona, ndërkaq rezultat pozitiv është shënuar në 26, pra 7,7 për qind.
Numri më i madh i të infektuarve është në Vranjë – 16.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *