fbpx

KAMBERI I SHKRUAN ESKOBARIT: NUK DO TË KETË PAQE TË QËNDRUESHME NËSE NUK ZGJIDHET ÇËSHTJA E SHQIPTARËVE NË BUJANOC DHE PRESHEVË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 24 janar 2023. Deputeti i Bujanocit Shaip Kamberi ka kërkuar sërish nga Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, që në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës të përfshihet edhe Lugina e Preshevës- siç e quajnë shqiptarët zonën e Bujanocit dhe Preshevës, për arritjen e paqes së qëndrueshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
Kamberi publikoi letrën që i dërgoi Escobarit dhe njoftoi se do t’i shkruante gjithashtu Josep Borrell, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, dhe Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
“Po ju shkruaj për të përsëritur qëndrimin e të zgjedhurve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për t’iu bashkuar dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e gjithanshme të situatës së komunitetit shqiptar të Luginës së Preshevës”, thekson Kamberi në letër.
Ai theksoi se 22 vjet pas konfliktit në jug të Serbisë, komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës mbetet minoriteti më i diskriminuar në Republikën e Serbisë dhe se nuk janë marrë masa për t’i dhënë fund diskriminimit ekonomik ndaj shqiptarëve, për të zgjidhur përfaqësimin shumë të ulët të shqiptarëve në institucionet dhe kompanitë shtetërore nën kontrollin e qeverisë dhe për të reduktuar praninë e forcave ushtarake në rajon.
“Duke qenë se diskriminimi politik dhe institucional i shqiptarëve të Luginës së Preshevës është shpesh pasojë e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne besojmë se përfshirja e komunitetit shqiptar në dialog do të ndihmojë ndërmjetësuesit e BE-së dhe SHBA-së të punohet në mënyrë simetrike dhe të balancuar në aranzhimet për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të pakicave për komunitetin shqiptar në Serbi dhe komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me vlerat evropiane dhe aktet ndërkombëtare”, thotë Kamberi.
Sipas tij, simetria në trajtimin e këtyre pakicave kombëtare duhet të jetë element thelbësor i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin, në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugën e tyre evropiane.
Kjo do të parandalojë, siç thotë ai, Luginën e Preshevës që të kthehet në një tjetër konflikt dhe burim jostabiliteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me implikime më të gjera në Ballkanin Perëndimor.

Përfshirja e shqiptarëve nga jugu i Serbisë në dialog, theksoi ai, është mënyra e vetme për të arritur paqen afatgjatë dhe të qëndrueshme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Kamberi ftoi Escobarin dhe kolegët e tij evropianë që të vizitojnë komunat e Serbisë ku shqiptarët janë shumicë, të takohen me përfaqësues dhe liderë shqiptarë dhe të diskutojnë problemet e tyre.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *