fbpx

TË RINJËT E BUJANOCIT NË LUFTË KUNDËR KANCERIT TË QAFËS SË MITRËS: SËMUNDJE E QETË QË VRET, VAKSINOHUNI

 

Shkruan: I. Jovanoviq

Bujanoc, 24 janar 2023. Nxënësit e shkollave të mesme “Sveti Sava” dhe “Sezai Suroi” në Bujanoc morën pjesë sot në Shtëpinë e shëndetit në ligjëratën “Më mirë të parandalosh se të kurosh” me rastin e Javës për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.
Me synimin për të ndërgjegjësuar të rinjtë për këtë sëmundje vicioze, nxënësit e shkollave të mesme mundën të mësojnë gjithçka rreth masave parandaluese kundër kancerit të qafës së mitrës dhe si të kujdesen për shëndetin e tyre riprodhues.
Ligjëratën e filloi psikologia Dragana Zaev, e cila u foli nxënësve për shëndetin mendor dhe adoleshencën. Ajo vuri në dukje problemet me të cilat përballen fëmijët gjatë pubertetit, të cilat kanë të bëjnë me ndryshimet në sjellje, çrregullimet e të ngrënit dhe dhënien pas veseve.
Ligjëruesja e radhës ishte Dr. Natasha Popoviq Jankoviq, mjeke në Dispanserin shkollor, e cila foli për rëndësinë e vaksinës Gardasil 9 kundër virusit papilloma humane (HPV), i cili është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës.
– Vaksina Gardasil 9 është në dispozicion dhe pa pagesë në Qendrën tonë Shëndetësore, nuk ka efekte anësore dhe është plotësisht e sigurt – theksoi ajo.
Është mirë që fëmijët ta marrin nga mosha 12 deri në 14 vjeç, pra para se të hyjnë në marrëdhënie seksuale, me faktin se ata që e bëjnë këtë para moshës 14 vjeç marrin dy doza, ndërkaq ata që vaksinohen pas moshës 15 vjeçare marrin tre doza të vaksinës.
Foto: Nuk ka asnjë arsye për të mos marrë vaksinën.
– Nuk ka asnjë lloj tjetër parandalimi përveç vaksinës dhe duhet ta marrin pa u menduar si djemtë ashtu edhe vajzat – theksoi doktoresha.
Menderez Aliu, gjinekologu i Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc ishte ligjëruesi i fundit i cili foli për kancerin e qafës së mitrës, i cili është kanceri i dytë më i shpeshtë te femrat pas kancerit të gjirit.
– Në Serbi vitin e kaluar nga kjo sëmundje janë prekur 1500 gra ndërsa 300 prej tyre humbën jetën. Është sëmundje e tmerrshme dhe duhet parandaluar me kohë, mos hezitoni dhe merrni lirisht vaksinën – thekson gjinekologu. Doktor Menderezi u bëri apel femrave nga mosha 21 deri në 65 vjeç që të bëjnë një kontroll të rregullt gjinekologjik, pra skrining (Papa testi), sepse kjo është mënyra e vetme për të zbuluar në kohë ndryshimet qelizore.
– Është një sëmundje e heshtur që mund të zhvillohet disa vite para se të diagnostikohet, prandaj kontrolli i rregullt është më i rëndësishmi – tha doktor Menderezi.
Ai përmendi simptomat për të cilat gratë e reja duhet të shqetësohen dhe që ndodhin më shpesh në moshën 30-50 vjeç: gjakderdhje ndërmenstruale (ndërmjet cikleve), dhimbje barku dhe gjakderdhje gjatë marrëdhënieve seksuale.
Me fjalët “Më mirë të parandalosh se të kurosh”, gjinekologu e mbylli ligjëratën dhe ftoi të gjithë të rinjtë që të ndihen të lirë të vijnë në Shtëpinë e shëndetit dhe të bëjnë një ekzaminim nëse vërejnë edhe problemin më të vogël.
Një nxënëse e klasës së katërt të departamentit të mjekësisë në shkollën “Sveti Sava” na ka përcjellë përshtypjet e saj.
– Ky leksion ka një rëndësi të madhe sepse ndërgjegjëson të rinjtë dhe krijon njëfarë pjekurie, besoj se vaksina nuk mund të na dëmtojë, por vetëm të na ndihmojë – tha nxënësja për portalin tonë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *