ARIFI PËR BUJANOVAÇKE: PARTIA E KAMBERIT SI FITUESE E ZGJEDHJEVE KA QENË PËRGJEGJËSE PËR FORMIMIN E KËSHILLIT KOMBËTAR

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 31. janar 2023. Pushteti lokal në komunën e Bujanocit është stabil, thotë kryetari Nagip Arifi, përkundër dështimit të partnerëve të koalicionit të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) të Shaip Kamberit, Lëvizjes për Progres Demokratik (LDP) Shqiprim Musliut dhe Partisë Demokratike të Arifit (PD) për formimin e mazhorancës në Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) dhe akuzat reciproke që pasuan. Partia e Arifit do të marrë pjesë në organin e përkohshëm që do ta drejtojë KKSH-në deri në zgjedhje.
Arifi të martën ka thënë për Bujanovaçke se përgjegjësinë për formimin e shumicës e ka partia që fiton më shumë vota.
PVD-ja e Kamberit fitoi zgjedhjet e KKSH-së më 13 nëntor, por nuk u arrit marrëveshje për koalicion sepse partia e Musliut kërkoi kryetarin, me mbështetjen e heshtur të Nagip Arifit, siç njoftoi PVD.
“Akuzat mënjanë, përgjegjësia është gjithmonë e partisë që fiton më shumë vota, siç ishte rasti në zgjedhjet lokale të vitit 2020 kur Partia Demokratike fitoi dhe ne siguruam shumicën”, thotë Arifi.
Ai shprehet i bindur se pushteti komunal do të vazhdojë të funksionojë me të njëjtën përbërje, pavarësisht nga ngjarjet në KKSH.
Në pyetjen e Bujanovaçke nëse partia e tij do të marrë pjesë në organin e përkohshëm, të cilin në ditët në vijim duhet ta emërojë ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave Tomislav Zhigmanov, Arifi është përgjigjur pozitivisht.
– Asnjëherë nuk kemi thënë që nuk do të marrim pjesë në organin e përkohshëm, si disa parti të tjera. Që në ditën e parë ishim pro formimit të KKSH-së, por fatkeqësisht nuk u arrit asnjë marrëveshje mes palëve. Sigurisht që ne nuk jemi për mbylljen e Këshillit dhe tani është radha e ministrit të emërojë një organ të përkohshëm. Këdo që ta emërojë nga partia jonë, ai njeri do të jetë pjesë e organit të përkohshëm”, ka thënë Arifi.
Javën e kaluar ministri Zhigmanov i tha Bujanovaçkes se formimi i një organi të përkohshëm është në pritje të njoftimit zyrtar nga KKSH se lidershipi nuk është zgjedhur brenda afatit ligjor, pra deri më 13 janar.
Në KKSH mësuam se tashmë njoftimi është dërguar, ndaj vendimi i ministrit pritet në ditët në vijim.
Alternativa e opozitës për Ndryshim ka bërë të ditur se përfaqësuesit e saj nuk do të jenë pjesë e organit të përkohshëm.
Në kryesimin e përkohshëm të Këshillit të Shqiptarëve nuk do të jetë as kandidati i PVD-së për mandatin e dytë në krye të Këshillit, Ragmi Mustafa, pasi ,siç tha ai, emërimet e tilla do të bëhen nga ministri i qeverisë serbe.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *