KAMBERI DHE UGLANIN TE KURTI PËR TË DREJTAT E SHQIPTARËVE DHE BOSHNJAKËVE NË SERBI

Bujanoc, 6. shkurt 2023. Një delegacion i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) i kryesuar nga deputeti i Bujanocit, Shaip Kamberi dhe përfaqësues të PAD të Sanxhakut, të kryesuar nga Sulejman Uglanin, kanë biseduar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, të cilit i është kërkuar të avokoj që të drejtat që kanë serbët në Kosovë t’i fitojnë dhe shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

“Të drejtat e pakicave në vendet tona tregojnë më së miri nivelin e demokracisë dhe nivelin e zhvillimit të shoqërisë sonë. Prandaj, të drejtat e pakicave duhet të trajtohen brenda parimeve dhe standardeve universale të Bashkimit Evropian”, tha Kamberi pas takimit.

Deputeti i PAD-së të Sanxhakut, Enis Imamoviq, tha se në takimin me Kurtin kanë shprehur interesimin dhe vullnetin që përmes dokumentit franko-gjerman të krijojnë garanci për zgjidhjen e problemeve të boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi.

“Si përfaqësues të boshnjakëve, të gjithë qytetarëve të Sanxhakut dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për ne është e rëndësishme që të zbatohen parimet e marrëveshjes franko-gjermane në zgjidhjen e problemeve të komuniteteve tona në Serbi. Kjo nënkupton që të gjitha të drejtat që do të kenë serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, gjegjësisht në Kosovë, t’u garantohen boshnjakëve dhe shqiptarëve në Serbi”, tha Imamoviq.

Sipas tij, qëllimi i përfaqësuesve të shqiptarëve dhe boshnjakëve në Kuvendin e Serbisë është të bisedojnë me të gjithë aktorët dhe vendimmarrësit në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve dhe mundësive në rajon, si dhe do të iniciojnë takime me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar.

“Ne do të përsërisim edhe një herë gatishmërinë dhe kërkesën tonë për të diskutuar këtë temë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shpresën se ai do të jetë i gatshëm të dëgjojë pikëpamjet dhe kërkesat tona për këtë çështje”, thotë Imamoviq.

Siç tha ai, vetëm në këtë mënyrë do të respektohet parimi i marrëveshjes që ka të bëjë me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe krijimin e paqes së përhershme, besimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve dhe popujve të Ballkanit Perëndimor.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *