KAMBERI I BËNË THIRRJE VUÇIQIT TA BINDË OPINIONIN NË SERBI MBI DOMOSDOSHMËRINË E MARRËVESHJES ME KOSOVËN

Bujanoc, 6. shkurt 2023. Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq që t’i bindë përkrahësit dhe simpatizantët e tij, partnerët e koalicionit dhe opinionin publik në vend se ka të drejtë kur thotë se Serbia duhet të pranojë propozimin e marrëveshjes franko-gjermane për Kosovën.

Kamberi në seancën e Kuvendit të Serbisë tha se për hir të perspektivës evropiane të Kosovës dhe Serbisë do të mbështesë çdo iniciativë për një marrëveshje sa më të shpejtë me Kosovën.

-Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, sidomos për shkak të disponimit antishqiptar dhe narrativës negative për Kosovën, që është pasojë e retorikës armiqësore të ndërtuar ndër vite. Ajo që ndodhi dje dhe sot në parlament përshkruhet më së miri nga fjalia e famshme e astronautëve amerikanë: “Houston, ne kemi një problem”- tha Kamberi.

Ai vlerësoi se ishte një “mungesë ekstreme e ndjenjës së realitetit”.

Sipas tij, në raportin që presidenti Vuçiq e ka dorëzuar në Kuvend, i gjithë faji për tensionet që janë shfaqur së fundmi i është bartur Kosovës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

– Albin Kurti nuk është as përbindësh, as terrorist. Ai është kryeministër i zgjedhur legjitim i Qeverisë së Kosovës. Si i tillë, do t’ju duhet ta pranoni dhe të arrini një marrëveshje me të. Më vjen keq që që nga dje keni shprehur vazhdimisht keqardhjen tuaj që Albin Kurti ende nuk është në burgjet serbe. A nuk duhet të shërbejë rasti i tij dhe rasti i dhjetëra mijëra të rinjve shqiptarë të arrestuar në atë kohë si dëshmia më e mirë për politikën e gabuar dhe represive të Serbisë në Kosovë? – ishte pyetja e Kamberit drejrtuar Vuçiqit.

Ai theksoi se në këto momente vendimtare përgjegjësinë më të madhe për të ardhmen e vendit e ka Vuçiq si president i zgjedhur dhe se është e nevojshme të arrihet një marrëveshje përmes dialogut.

– Receta për një fatkeqësi të sigurtë është iluzioni se NATO dhe Amerika një ditë do të shkatërrohen dhe se duhet ta presim atë ditë – deklaroi Kamberi.

– Marrëveshja hap një perspektivë evropiane si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën, dhe në të njëjtën kohë, marrëveshja, për të gjithë Ballkanin Perëndimor, do të shënonte një hap përpara në raport me tendencat regresive aktuale. Ju deklaruat se kemi nevojë për pajtim me shqiptarët. Ky është një lajm i mirë dhe shpresoj të jetë i sinqertë – shtoi ai.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç e quajnë zonën mes Bujanocit dhe Preshevës, shpresojnë se arritja e marrëveshjes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve.

– Ne jemi të sigurt se Beogradi duhet ta përdorë arritjen e një marrëveshjeje si hapje të një kapitulli të ri në komunikimin me shqiptarët e Luginës së Preshevës. Edhe sot, gati 22 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes nga viti 2001, si dhe pas marrëveshjes së vitit 2009 dhe marrëveshjes së vitit 2013, pozita e shqiptarëve nuk ka ndryshuar sepse Beogradi nuk ka respektuar marrëveshjet e arritura dhe detyrimet e marra – theksoi Kamberi.

Ai konkludoi se gjetja e aranzhimeve simetrike dhe të balancuara për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave, në përputhje me standardet evropiane dhe ligjet ndërkombëtare është një mënyrë e sigurt për të vendosur marrëdhënie të mira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe një hap i madh drejt paqes afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *