FILLON NDËRTIMI I BANESAVE PËR ROMËT E SHPËRNGULUR NGA KOSOVA

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 8 shkurt 2023. (Foto nga arkivi banesa për të shpërngulurit) – Në muajt e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i banesave në Bujanoc për romët e shpërngulur nga Kosova, të cilët për më shumë se 20 vite jetojnë në kushte ç’njerëzore në qendrën kolektive “Salvatore”, ka konfirmuar sot Komuna e Bujanocit.
kryeshefi i Drejtoratit komunal për urbanizëm, Basri Memeti, ka thënë për portalin tonë se tashmë është hapur prokurimi publik për kontraktorin dhe se plani është që të ndërtohen 12 banesa në rrugën Jaqim Gjoshiq, në të cilën në vitin 2014 tashmë është ndërtuar një objekt banimi për personat e zhvendosur nga Kosova. Për ndërtimin e banesave të reja janë ndarë 48,7 milionë dinarë nga fondet e Bashkimit Evropian, përmes Programit “Përkrahja e Bashkimit Evropian për banim social dhe përfshirje aktive”.
Siç tha Memeti, dhjetë shtëpi në fshatrat e Bujanocit do të blihen për personat me kushte të rënduara.
Ndërtimi i banesave sociale u kundërshtua ashpër nga këshilltarët e Alternativës për Ndryshim në seancën e Kuvendit në shkurt të vitit 2021, kur u përcaktua lokacioni i objektit.
Në atë kohë ata akuzuan se banesat janë në dëm të shqiptarëve, gjegjësisht se do të ndryshojnë strukturën etnike në Bujanoc, duke shprehur dyshime se në mesin e shfrytëzuesve potencialisht mundë të jetë edhe dikush “nga dhunuesit e 20 mijë grave në Kosova apo edhe ndonjë vrasës”. Më pas ata u larguan nga mazhoranca dhe që atëherë janë në opozitë.
Këto akuza u mohuan menjëherë nga drejtuesit e autoriteteve lokale, e më pas nga përfaqësuesit e OSBE-së dhe UNHCR-së në Serbi.
Prokurimi publik për kontraktorin për ndërtimin e apartamenteve do të jetë i hapur deri më 3 mars, sipas dokumentacionit të publikuar në Portalin e Prokurimeve Publike.
Kontrata do të zgjasë 12 muaj, që është periudha në të cilën duhet të përfundojë ndërtimi i banesave.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *