Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 14 shkurt 2023. Në shumicën e shkollave fillore dhe të mesme të Bujanocit planifikojnë të shkojnë në ekskursion, por fjalën e fundit për këtë do ta kenë prindërit e nxënësve. Derisa shkolla fillore “Branko Radiçeviq” nuk ka nxënës të mjaftueshëm për këtë pjesë të kurrikulës, në shkollat e Bujanocit “Sveti Sava”, “Sezai Suroi”, “Naim Frashëri” dhe “Bora Stankoviq” në Klenik, ekskursioni është i sigurt dhe pritet pëlqimi i prindërve për të kontaktuar ofertuesit.
– Shkolla jonë nuk organizon ekskursione për nxënësit, sepse nuk mund të plotësojmë përqindjen e vlefshme ligjore prej 60 për qind. Në shkollën tonë, shumica e prindërve nuk janë në gjendje të paguajnë për një ekskursion. – thotë për portalin tonë Nenad Tasiq, drejtor i shkollës fillore “Branko Radiçeviq” në Bujanoc.
Tasiq shton se vitin e kaluar organizuan një udhëtim njëditor në Vranjska Banja dhe Besna kobila për nxënësit e shkollës së tyre që morën pjesë në gara.
– Ishte një lloj shpërblimi për angazhimin dhe suksesin e tyre. Arritëm të rregullonim transportin, kështu që nxënësit nuk kishin nevojë të paguanin asgjë. Do të mundohemi të organizojmë diçka të tillë edhe këtë vit, sepse do të donim që të bëhet traditë – thekson Tasiq.
Sllagjan Cvetanoviq, drejtor i shkollës fillore “Bora Stankoviq” në Klenikë, thotë për portalin tonë se sigurisht që do të ketë ekskursione, por ende nuk i di detajet.
– Praktika jonë është që në qershor të organizojmë një ekskursion njëditor për nxënësit nga klasa e parë deri në tetë, por ende nuk kemi shpallur tender, sepse nëse e bëjmë tani, askush nuk na garanton qëndrueshmërinë e çmimit deri në qershor – thotë Cvetanoviq.
Në këtë mënyrë, sipas tij, nxënësit do të kenë kohë për të shlyer këstet e ekskursionit në muajt prill, maj dhe qershor, në mënyrë që mandej të paguajnë vetëm transportin dhe biletat për në muze apo ndonjë objekt tjetër që do të vizitojnë.
– Plani është që këtë vit të vizitojmë Oplencin, Kragujevcin dhe Topollën, por detajet për këtë do të dihen më vonë – thekson Cvetanoviq.
Në gjimnazin “Sveti Sava” në Bujanoc thonë se nëse ka ekskursion ai do të jetë për nxënësit e të gjitha klasave.
– Fillimisht në Këshillin e prindërve duhet të shohim interesimin e nxënësve dhe vetëm më pas të ftojmë ofertuesit. Procedura është e madhe dhe asgjë nuk dihet për momentin – tha për portalin tonë Svetlana Manasijeviq, drejtoresha e shkollës.
Ekskursion do të ketë edhe në Shkollën e mesme “Sezai Surroi”, por ende nuk dihen detaje.
-Ekskursioni për maturantët, pra studentët e vitit të fundit do të jetë në muajin maj, por ende nuk kemi caktuar datë dhe nuk iu kemi bërë thirrje ofertuesve. Jemi duke punuar në këtë drejtim – thotë për portalin tonë drejtori i shkollës Zejni Fejzullahu.
Situatë e ngjashme është edhe në shkollën fillore “Naim Frashëri” në Bujanoc. Ekskursioni është i planifikuar, por sipas drejtorit Fadil Ebibi, detajet nuk mund të diskutohen derisa të intervistohen prindërit dhe të shihet numri i fëmijëve të interesuar për ekskursion.