Bujanoc, 16 shkurt 2023. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) në mandatin e kaluar, Ragmi Mustafa, me rastin e 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka thënë se shqiptarët nga Lugina e Preshevës, siç e quan ai rajonin e Bujanocit dhe Preshevës ishin me Kosovën në çdo hap dhe do të mbeten të tillë. “Mirëpo, Lugina është e përçarë, ngase ndikimi i Qeverisë së Kosovës është refuzuar nga disa politikanë dhe liderë partiakë me infantilitetin dhe politikën e tyre të papërgjegjshme”, thotë Mustafa.
– Historia do të tregojë se sa janë duke gabuar, ndërkaq populli do t’i vuaj pasojat – ka shkruar ai në Facebook.
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia më 17 shkurt 2008.
Mustafa thotë se duhet të festohet përparimi i bërë që nga pavarësia dhe të nderohen sakrificat e bëra në luftën për liri.
Përkundër politikanëve të papërgjegjshëm shqiptarë në Bujanoc dhe Preshevë, siç tha ai, angazhimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të përmirësuar pozitën e Luginës është mbresëlënëse dhe frymëzuese.
-Përfshirja e Luginës në Qeveri, përkrahja buxhetore dhe ndarja e granteve për Luginën, qëndrim parimor për çështjen e reciprocitetit në të drejtat e pakicave në dialog dhe shumë gjëra të tjera – thotë Mustafi duke numëruar ato që po bën Kurti për shqiptarët në Serbi.
Sipas tij, Kosova përmbush kërkesat afatgjata të Luginës dhe e përfshin Luginën në diplomaci për hir të më shumë lirisë, barazisë, të drejtave dhe drejtësisë.