Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 16 shkurt 2023. Trajtimi rehabilitues në Banjën e Bujanocit është në listën e banjave që u ofrojnë pensionistëve qëndrim dhe rehabilitim falas. Kapaciteti akomodues është 195 shtretër ndërsa aplikimet mund të bëhen deri më 2 mars.
“Këtë vit jemi edhe në listën e fondit të sigurimeve pensionale dhe invalidore, kështu që do të marrim një numër të caktuar pensionistësh që i plotësojnë kushtet dhe kriteret e përcaktuara nga Fondi i SPI – thotë për portalin tonë Nenad Mitroviq, drejtor i hotelerisë dhe turizmit në këtë Banjë.
Vitin e kaluar, sipas tij, në trajtim spitalor kanë qenë 240 pensionistë, numri më i madh i tyre nga rrethi i Pçinit, por ka pasur edhe pensionistë të ardhur nga Beogradi dhe nga e gjithë Serbia.
Mitroviq thekson se pensionistët aplikojnë përmes Fondit, jo direkt në Banjë.
-Pensionistët janë të detyruar të kontaktojnë Shoqatën e pensionistëve në vendet ku jetojnë dhe të paraqesin kërkesë për banjë nëpërmjet tyre ose drejtpërdrejt përmes një dege të Fondit Republikan për Sigurimet Pensionale dhe Invalidore, sepse ata vendosin se kë të dërgojnë në rehabilitim- shpjegon ai.
Kapaciteti akomodues i Banjës është 195 shtretër të cilët janë të gatshëm, siç thotë ai, në çdo moment për të pritur të gjithë përdoruesit e dërguar nga Fondi.
-Ajo që e veçon banjën e Bujanocit nga banjat e tjera jo vetëm në Serbi, por në të gjithë Ballkanin, është gazi natyror i dioksidit të karbonit, i cili përdoret në dy mënyra, si injeksione nënlëkurore dhe si banja me gaz dhe ka një aplikim të jashtëzakonshëm në trajtimin komplikimeve nga diabeti- thekson Mitroviq.
Dy faktorët e tjerë natyrorë për të cilët njihet Banja e Bujanocit janë balta shëruese dhe uji termomineral.
– Krahas gjithë këtyre faktorëve natyrorë, ne kemi edhe pajisje moderne elektrike që përdoren gjerësisht edhe në terapi – shton Mitroviq.
Fondi Republikan për sigurim pensional dhe invalidor ka shpallur konkurs për rehabilitim falas të pensionistëve në banja, të ardhurat mujore të të cilëve nuk i kalojnë 37,809 dinarë dhe që banojnë në Serbi, për të cilin më parë ka shkruar Bujanovaçke.
Pensionistët nga Bujanoci mund të aplikojnë në Institutin për mjekim dhe rehabilitim në Banjën e Nishit, për spitalet speciale në Lukovskë, Prolom, Banjën e Bujanocit dhe të Vranjës, për “Gejzer” në Banjë të Sijarinës, “Banjica” në Sokobanjë, si dhe për Spitalin për Sëmundjet e mushkërive në Sokobanjë.