LAJÇAK: KOSOVA DUHET PATJETËR TA FORMOJ AKS

Bujanoc, 20. shkurt 2023. Shtyrja e mëtejshme e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) në Kosovë është e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare, tha përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak. Ai ka theksuar se Marrëveshja e Brukselit është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, gjë që e ka bërë atë obligim juridik ndërkombëtar për Kosovën.

“Ne e kuptojmë se kjo çështje është e ndjeshme për Qeverinë e Kosovës, por obligimet duhet të përmbushen”, ka thënë Lajçak për Politika, duke iu përgjigjur pyetjes se pse ende nuk është formuar Asociacioni i Komunave Serbe, transmeton N1.

Sipas tij, qëndrimi i BE-së dhe i SHBA-së dhe i partnerëve të tjerë ndërkombëtarë është se çdo vonesë e mëtejshme është e papranueshme.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti javën e kaluar i bëri thirrje Serbisë që të jetë e para që do të formojë bashkësi komunash në Luginën e Preshevës, siç e quajnë shqiptarët zonën e Bujanocit dhe Preshevës, apo në Sanxhak, dhe të “tregojë me shembull se si ai model duhet të funksionojë”.

Lajçak thotë se BE-ja aktualisht është duke punuar në dy pista që dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara.

– Së pari, prioritet është që të dyja palët të bien dakord për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Së dyti, ne vazhdojmë të punojmë paralelisht për të siguruar zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha elementeve të asaj që është rënë dakord deri më tani në dialog – të cilat mbeten të vlefshme dhe janë të detyrueshme për të dyja palët, tha Lajçak.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *