ARIFI: KUVENDI I KOSOVËS MIRATOI MARRËVESHJEN MBI NJOHJEN E DIPLOMAVE, KËTË E PRES EDHE NGA SERBIA

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 25 shkurt 2023. Ratifikimi në Kuvendin e Kosovës i marrëveshjeve të arritura në kuadër të procesit të Berlinit, është i një rëndësie të veçantë për shqiptarët e Bujanocit dhe Preshevës, sepse marrëveshjet parashikojnë njohjen e diplomave dhe dokumenteve, ka vlerësuar kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, duke thënë se ai pret që edhe Serbia të bëjë të njëjtën gjë. Ai të premten në Bujanoc është takuar me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të udhëhequr nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi.

– Kryetari Arifi falënderoi të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të enjten ratifikuan marrëveshjet nga procesi i Berlinit, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse këto marrëveshje parashikojnë njohjen e ndërsjelltë të dokumenteve dhe diplomave në mes të gjashtë vendeve e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Kryetari tha se pret që edhe Serbia ta bëjë të njëjtën gjë tani, njoftoi Komuna pas takimit.
Marrëveshjet u arritën në nëntor të vitit të kaluar në Berlin ndërsa përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi atëherë vlerësuan se Serbia në këtë mënyrë më në fund ishte zotuar që t’i njohë diplomat e Kosovës, për të cilën ka shkruar Bujanovaçke.

Deputetja Bunjaku Rexhepi shprehu gatishmërinë që çdo kërkesë të shqiptarëve nga jugu i Serbisë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës.

Ajo theksoi, thonë në Komunë, se do të përkrah çdo vendim që do të ishte në dobi të qytetarëve të Luginës së Preshevës.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *