Bujanoc, 26 shkurt 2023. Deputeti nga Bujanoc, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se përmes një mesazhi në Facebook ka marrë kërcënime me vdekje, të cilin ia ka raportuar organeve kompetente.
Kamberit ka marrë mesazhe nga një person i cili prezantohet si Danijel Millkoviq, në gjuhën serbe të shkruar gabimisht:
“Mjaft me rrëmbime, ndërkaq sa për ty personalisht, në të ardhmen me kujdes shiko pas shpatullave sa herë të shkosh diku. Ju kurrë nuk do ta dini se kur do të vij për kokën tënde.”
I njëjti person shkruante në një mesazh të mëparshëm:
– “Šiptar”, vetëm vazhdo të ëndërrosh, pikërisht kur të shpresoni më së paku, e gjitha do të përfundoj si duhet.
Kamberi ka thënë se Serbia prej muajsh po përpiqet të ndërtojë një realitet virtual për shkak të gjoja kërcënimit për jetën e serbëve në Kosovë.
Ndërkohë, raste të shumta të diskriminimit flasin se sa e kërcënuar është liria dhe jeta e shqiptarëve në Serbi”, ka shkruar Kamberi në profilin e tij në Facebook.
Siç tha ai, “kjo është atmosfera në të cilën shqiptarët punojnë dhe jetojnë në Serbinë autoritare të Aleksandër Vuçiqit. Kjo klimë antishqiptare është ushqyer prej vitesh nga mediat proqeveritare dhe deklaratat e shpeshta ofenduese të zyrtarëve serbë”.
“Kjo atmosferë diskriminuese dhe kërcënuese është arsyeja kryesore e kërkesës sonë për zgjidhje simetrike të të drejtave të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi”, ka thënë Kamberi.