Bujanoc, 27. shkurt 2023.(foto screenshot RTS) – Konkursi për subvencionet shtetërore për blerjen e shtëpive në fshat do të hapet të martën (28 shkurt), njoftoi ministri i Kujdesit rural, Milan Kërkobabiq. Qeveria e Serbisë ka ndarë 500 milionë dinarë për blerjen dhe adaptimin e shtëpive të zbrazëta rurale për të rinjtë. Të rinjtë do të mund të aplikojnë për 10 mijë euro ndihmë për të filluar biznesin e tyre.
“Kushti për aplikim është që të jenë nën 45 vjeç, qytetarë të Serbisë jo më pak se tre vjet, që të mos kenë pronë – apartamente apo shtëpi, por mund të kenë tokë bujqësore”, tha Kërkobabiq për RTS.
Në konkursin e fundit aplikuan tre Bujanocas, por aplikimet e tyre u refuzuan për shkak të mosplotësimit të kushteve.
Kërkobabiq thotë se kushti për të pasur tokë bujqësore ka të bëjë me fermerët e rinj që jetojnë në familje të përbashkëta dhe kjo është mundësia e tyre për t’u bërë të pavarur.
Ai deklaroi se mund të aplikojnë edhe ata që janë të martuar edhe ata që nuk janë.
Në periudhën pararendëse janë blerë 1631 banesa në 119 njësi të pushteteve lokale.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse ka më shumë aplikues sesa parashikon buxheti i planifikuar, Kërkobabiq thotë se qëndrimi i kreut shtetëror është që sa kërkesa të ketë, do të ketë ndarje të mjeteve.
“Kjo është specifike, këtu nuk ka renditje, nuk ka pritje. Kushdo që aplikon, nëse i plotëson kushtet, merr radhazi derisa të shpenzohen mjetet dhe pastaj do të vazhdojmë me ribalancimin e mjeteve të reja”, thotë Kërkobabiq.
Shtëpia më e lirë deri më tani ka kushtuar rreth 400,000 dinarë, ndërsa më e shtrenjta rreth 1.2 milionë. Ai tregon se sa do të financohen varet nga të rinjtë që aplikojnë, sepse ata e gjejnë vetë shtëpinë.
Është në dorën e tyre se çfarë do të gjejnë, nëse i plotëson kushtet, ne i miratojmë fondet”, thekson Kërkobabiq.
Interesimi më i madh është për rrethin e Banatit dhe fshatrat përreth Pirotit ndërsa ministri thotë se do t’i kushtojë vëmendje të veçantë zonave kodrinore e malore dhe margjinale.
“Aty do të shikojmë masa të caktuara nxitëse për të inkurajuar të rinjtë. Për të qenë realist, ne mund të rrahim gjoksin sa të duam, shteti i Serbisë mbrohet duke mbushur shtëpitë e boshatisura dhe duke shtuar lindjet. Kjo është e vetmja mbrojtje e vërtetë”, thotë Kërkobabiq.
Ai tregon se mes të regjistruarve 20 për qind janë ata që vendosin të largohen nga qytetet për në fshat.
Nga fillimi i qershorit, 10,000 euro duhet të jenë në dispozicion të tyre për të filluar biznesin e tyre në pronën e tyre, e Kërkobabiq thotë se pret aplikime për një shumëllojshmëri profesionesh, duke përmendur si shembull që nuk ka dentistë në Cërna Travë.
“Zanate të vjetra, zanate të reja, le të themi një shërbim riparimi makinerish bujqësore që do t’i shërbejë disa fshatrave. Pra, gjithçka që këta të rinj deklarojnë se i mungon fshatit – një dyqan, çdo gjë. Ne nuk kemi nevojë të nxjerrim për ta nga këtu, ata e dinë se çfarë mungon në atë fshat, çfarë mund të jetë e qëndrueshme dhe për çfarë janë të trajnuar dhe të aftë,” thotë Kërkobabiq.
Ai tregon se edhe në zonat kodrinore-malore dhe margjinale po mendohet të rritet kjo sasi.
Përveç kësaj, shtoi ai, të drejtën e atyre 10 mijë eurove kanë ata që kanë marrë shtëpi në fshat, si dhe të rinjtë e tjerë që tashmë jetojnë atje.
“Le të shohin se çfarë u mungon fshatarëve tanë – nëse dyqan, farmaci, ndonjë nga këto, ata aplikojnë, ne do të japim para, por jo para në dorë, por për blerjen e pajisjeve dhe fillimin e atij biznesi”, tha ministri.
Početna FILLIMI NGA NESËR APLIKIMET PËR BLERJEN E SHTËPISË NË FSHAT, BUJANOCASIT ISHIN REFUZUAR VITIN E KALUAR
NGA NESËR APLIKIMET PËR BLERJEN E SHTËPISË NË FSHAT, BUJANOCASIT ISHIN REFUZUAR VITIN E KALUAR
Bujanovačke27. Feb 2023.FILLIMI, SHOQËRI0
Previous PostAMBASADORI I SHBA-së: MEDIAT LOKALE ROL QENDROR NË DEMOKRACI
Next PostVUÇIQ DHE KURTI BISEDOJNË NË BRUKSEL PËR PLANIN EUROPIAN PËR KOSOVËN