PËR ZGJEDHJE DUHET NDRYSHUAR VENDIMI KOMUNAL MBI BASHKËSITË LOKALE, VENDIMI AKTUAL ËSHTË I PAQARTË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 1. mars 2023. (foto nga arkivi – Zgjedhjet 2018) – Përkundër paralajmërimit të kryetarit të Kuvendit të Bujanocit, Enver Ramadani, zgjedhjet për këshillat e bashkësive lokale (BL) në komunën e Bujanocit nuk mund të mbahen derisa të ndryshohet Vendimi komunal për bashkësitë lokale, thonë disa kryetarë të bashkësive lokale. Siç thonë ata, të paktën dy nene të vendimit janë kontestuese. “Kandidatët kanë nevojë për mbështetjen e më shumë se 100 për qind të banorëve – kjo është e pakuptimtë,” thanë ata.
Neni 21 i Vendimit të lartpërmendur parashikon se kandidat për anëtar të këshillit të bashkësisë lokale duhet të propozohet nga së paku 10 për qind e qytetarëve që jetojnë në territorin e bashkësisë lokale dhe secili qytetar mund të propozojë një kandidat. Këshillat mund të kenë të paktën 7 anëtarë dhe maksimum 21, siç përcaktohet në nenin 16 të të njëjtit Vendim.
– Do të thotë që për Këshillin e BL-së, që ka, le të themi, 15 anëtarë, të njëjtin numër kandidatësh për zgjedhje duhet ta mbështesin 150 për qind e popullsisë, nëse kjo nuk është e parealizueshme, e pamundur dhe në fund të fundit e pakuptimtë, nuk e di se çfarë është tjetër – thotë kryetari aktual i një BL.
Me këtë ai praktikisht e ka demantuar Ramadanin, i cili të martën ka thënë për Bujanovaçke se praktikisht gjithçka është gati për zgjedhje.
Kuvendi i Bujanocit ka marrë vendim të ri për bashkësitë lokale në fund të vitit 2019. Zgjedhjet e mëparshme, të mbajtura një vit më parë, u zhvilluan sipas vendimit të vjetër, i cili parashikonte se një kandidat për këshilline BL-së kishte nevojë për mbështetjen e 10 bashkëqytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndryshimi i vendimit të vlefshëm është kërkuar më herët nga kreu i qeverisë komunale, por deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim.
-Ka ende nene kontestuese, me lëshime, të cilat duhet të korrigjohen para zgjedhjeve – thonë nga bashkësitë lokale.
Vendimi duhet të harmonizohet edhe me Ligjin për reduktimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe menaxhimin e emergjencave, i cili përcakton se komisioneri i Mbrojtjes civile, i cili zakonisht është kryetar i bashkësisë lokale, duhet të jetë një person që nuk është dënuar me burgim pa kusht, të paktën 6 muaj dhe për të cilin nuk zhvillohet procedim penal.
– Ai kusht për kandidatët për anëtarë këshilli nuk është në vendim, por duhet të jetë, sepse çdo anëtar i këshillit mund të bëhet kryetar, e me këtë edhe Komisioner i Mbrojtjes civile. Kandidatët që nuk i plotësojnë kushtet e parapara me ligjin e përmendur kandidimi duhet t’iu pamundësohet – thotë bashkëbiseduesi ynë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *