NDRYSHOHET DEKRETI, NËNAVE U LEHTËSOHET RRUGA DERI TE SUBVENCIONI PËR BLERJEN E BANESËS SË PARË

Bujanoc, 6. mars 2023. Nënat që lindjen e kanë pasë nga 1 janari 2022 mund të aplikojnë për subvencione për blerjen e banesës së tyre të parë, shuma maksimale e së cilës është 20 mijë euro. Qeveria ka ndryshuar dekretin që rregullon këtë procedurë, dhe tani autoritetet do të duhet t’u përgjigjen kërkesave më shpejt ndërkohë gratë që janë refuzuar më parë do të kenë mundësinë të apelojnë dhe ndoshta këtë herë të ushtrojnë të drejtën për të blerë një banesë ose një shtëpi.
Rregullorja e re parashikon që Komisioni duhet të vendosë më së voni në afat prej 30 ditësh nëse janë plotësuar të gjitha kushtet, kur nëna të paraqesë kërkesë për subvencione.
U pranua edhe propozimi i Avokatit të Popullit që qytetaret të cilët nuk kanë marrë subvencione mund të ankohen.
– Sipas mendimit të tij, Avokati i Popullit sugjeroi ministritë që të shqyrtojnë mundësinë e ndryshimit të Dekretit në mënyrë që t’u mundësohet qytetareve, të cilat nuk kanë mundur ta ushtrojnë këtë të drejtë për shkak të keqkuptimit të procedurës së paraparë, si dhe për shkak të lidhjes së kontratës së shitjes para dorëzimit të aplikacionit për subvencionim, për të ushtruar të drejtën e tyre për burime financiare për ndërtimin ose pjesëmarrjen në blerjen e një banese në bazë të lindjes së një fëmije. Dekreti i ri parashikon që në këto raste komisioni do të përsërisë procedurën nëse aplikantet të cilave u janë refuzuar kërkesat, e përsërisin kërkesën për ndarjen e subvencioneve, brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi të Dekretit të ri, thuhet në njoftim.
Shoqata “Nënat janë ligji” paralajmëruan më herët se ndryshimet në këtë Rregullore janë të nevojshme, ndërsa thonë se kanë dërguar propozime zyrtare se si t’iu lehtësohet procesi nënave që lindjet i kanë pas 1 janarit 2022.
Ato gjithashtu shpjegojnë se çfarë përfitimesh të tjera mund të presin nënat në ciklin e ri.
– Ndër ndryshimet më të rëndësishme që përmban Dekreti i ri, veçojmë ato që do të përshpejtojnë procesin e vendimmarrjes për kërkesat e parashtruara nga qytetaret, komunikimin më efikas mes qytetarëve, vetëqeverisjes lokale dhe Komisionit, pastaj mundësinë e blerjes së banesës në ndërtim, të cilat janë pararegjistruar në kadastrin e pasurive të paluajtshme pa barrë dhe në fund kompensim për nënat e refuzuara padrejtësisht nga fillimi i zbatimit të Rregullores – thekson Shoqata.
Shoqata thekson se nënat të cilat më parë janë refuzuar në mënyrë të padrejtë do të mund të kërkojnë kompensim brenda 30 ditëve nga data e hyrjes në fuqi e Dekretit të ri.
-Këto nëna janë refuzuar kryesisht për shkak të komunikimit të dobët ndërmjet nivelit republikan dhe atij lokal, kur përfituesve të mundshëm të kësaj të drejte nga Ligji për Mbështetjen financiare të familjeve me fëmijë iu komunikua gojarisht se mund të lidhnin kontratë e jo parakontratë me shitësin e pasurisë së paluajtshme – kujtojnë ato.
Edhe Ministria e kujdesit familjar dhe demografisë theksoi se Dekreti i ri do t’ua lehtësojë nënave subvencionet, shuma maksimale e të cilave është 20 mijë euro.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *