Bujanoc, 10. mars 2023. Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, tha se nuk pret që në takimin e 18 marsit në Ohër të nënshkruhet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se shpreson që në atë takim të arrihet një marrëveshje për aneksin për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Hapi i parë ishte të bien dakord për propozimin, teksa gjashtë muaj më parë nuk do të kishit vënë bast se do të ishim këtu ku jemi tani. Hapi i dytë është finalizimi, ndërsa finalizimi do të thotë të dish se si do të zbatohet marrëveshja. Nuk do të ishte serioze të pretendohej se kemi një marrëveshje, kur nuk mund t’i përgjigjemi pyetjes se si do të zbatohet marrëveshja. Dhe hapi i tretë është formalizimi, si do ta miratojmë dhe si do të jetë nënshkrimi, kur dhe ku do të ndodhë. Pra, ka disa ide dhe ne do të flasim për to, por siç thashë ky është hapi i tretë. Nuk pres ndonjë ceremoni nënshkrimi në Ohër, sepse ka shumë palë që e mbështesin këtë proces dhe mendojmë se do të ishte e drejtë që ato të jenë pjesë e këtij procesi”, tha Lajçak në një intervistë për ATV, siç raportonë portali Reporteri.
Lajçak ka theksuar se nëse nuk arrihet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, apo nëse pengohet, kjo do të ndikojë në integrimin evropian të palës që e bën këtë.
Ai shtoi se parandalimi i një marrëveshjeje do të dërgonte një mesazh shumë negativ për vendet që mbështesin procesin.
“Dështimi për të arritur një marrëveshje mund të jetë rezultat i dy gjërave: së pari, se ne kemi punuar shumë dhe në një frymë konstruktive, por na duhet më shumë kohë dhe në këtë rast ne do të vazhdojmë të punojmë pa vonesa, ose nuk e kemi arritur marrëveshjen ngase njëra ose të dyja palët nuk ishin të gatshme të pajtoheshin, dhe kjo do të dërgonte një mesazh shumë negativ. Sinqerisht, nuk mbaj mend në karrierën time të kem pasë mbështetje kaq unike për ndonjë proces në të cilin kam qenë i përfshirë,” tha Lajçak.
Lajçak tha se 18 marsi nuk është zgjedhur rastësisht si datë për vazhdimin e dialogut.
“Ministrat e Punëve të Jashtme të 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen më 20 mars në Bruksel dhe më pas në 23 dhe 24 liderët evropianë – presidentët dhe kryeministrat – do të takohen në Këshillin Evropian. Përfaqësuesi i Lartë Borej do t’i informojë ata për progresin ose mungesën e progresit. Ata duan të dëgjojnë nga ai, nëse kemi një marrëveshje apo jo. Nëse nuk kemi marrëveshje, atëherë pse është kështu”, tha Lajçak.
Ai tha se vëmendja dhe mbështetja për këtë proces është jashtëzakonisht e madhe dhe se uniteti brenda BE-së është i paprecedentë.
Në një intervistë për ATV, Lajçak tha se është naive të pritet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, kur atmosfera është plot armiqësi dhe ka kriza dhe provokime në terren.
Ai shtoi se takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel ishte shembull se si Kosova dhe Serbia duhet t’i qasen dialogut.
“Do të thosha se takimi i fundit ishte më i miri sa i përket atmosferës. Palët mbajnë qëndrimet e tyre dhe se nuk pajtohen për shumë gjëra, por këtë e bëjnë në një frymë respekti të ndërsjellë, gjë që nuk ishte prezente në takimet e para. Kjo është një gjë e mirë”, tha Lajçak, por theksoi se për momentin niveli i besimit mes dy palëve është i ulët.