BARNATORJA: RAFTET E ZBRAZËTA, PAGAT ME VONESË, DREJTORI KËRKON NDIHMËN E SHTETIT PËR TA SHMANGUR LIKUIDIMIN

Shkruan: N. Stevanoviq

Naser Asani

Bujanoc, 13. mars 2023. Në Barnatoren e qytetit në Bujanoc punëtorët paguhen me vonesë, ndërsa furnizimi me barna është në nivel shumë të ulët. Barnatorja vitin e kaluar e ka përfunduar me humbje prej 11 milionë dinarë. Drejtori i këtij enti publik, Naser Asani, thotë për Bujanovaçke se vetëm shteti mund të na nxjerrë nga kriza ose do të pasojë likuidimi dhe privatizimi i entit.

Sipas drejtorit, thelbi i problemit është se marzha në shitjen e barnave nuk ka ndryshuar prej vitesh dhe arrin në 12 për qind dhe që nga viti 2020 pagat janë trefishuar. Ai thekson se nuk mund të ulë pagat dhe as të largojë punëtorët. Ai konfirmoi se punëtorëve u detyrohen katër rroga.

-Që nga nëntori i vitit 2020, që kur jam drejtor, shteti ka rritur pagat e punonjësve fillimisht me 7 për qind, pastaj me 8 dhe tani me 12.5 për qind. Në të njëjtën kohë, marzha, e cila përcaktohet edhe nga shteti, nuk ndryshon prej vitesh. Farmacinë e mora me minus 2 paga, tani i kemi 4 paga borxh – thotë drejtori.

Raftet e zbrazëta janë rezultat i afarizmit të vështirësuar.

– Jemi në pritje të pagesës nga Fondi republikan i sigurimeve shëndetësore (FRSSH) për të përfunduar prokurimin dhe do të mbushen raftet në ditët në vijim, por këto sasi janë të mjaftueshme për rreth 20 ditë – thekson ai.

Asani thotë se i është drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe Ministrisë së shëndetësisë për ndihmë në formën e subvencioneve dhe se kjo është gjithçka që mund të bëjë. Nuk kishte asnjë përgjigje konkrete, përveç se kërkesa i është përcjellë ministrisë përkatëse.

– Vetëqeverisja lokale na rriti subvencionet nga 1 milion në 4 milion në vit dhe për këtë i falënderoj, por nuk mjaftojnë. Duhet ndihma e shtetit për të mirëmbajtur Farmacinë, përndryshe na pret likuidimi ose privatizimi – thotë ai.

Këtë fat në dy vitet e fundit e kanë përjetuar disa barnatore publike të qytetit në Serbi.

Barnatorja e Bujanocit i ka 18 punëtorë, ndërsa pagat e teknikëve farmaceutikë variojnë nga 60.000 deri në 70.000 dinarë, ndërsa ata me diplomë universitare marrin më shumë se 100.000 dinarë në muaj.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *