POLITIKANËT SHQIPTAR NGA JUGU I SERBISË KËRKOJNË TAKIM ME LAJÇAKUN

Bujanoc, 13. mars 2023. Kryetarja e Këshillit të Partisë për Veprim Demokratik (PVD) në Preshevë, Ardita Sinani, ka kërkuar nga përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, të takohet me të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi.

“Takimi i fundit me përfaqësuesit e Listës Serbe nga komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është i kuptueshëm, sidomos duke pasur parasysh tensionet dhe përshkallëzimin e mundshëm, por edhe mungesa e takimit me shqiptarët e zgjedhur të Luginës së Preshevës është e pakuptueshme”, tha Sinani.

Sipas saj, kjo qasje mund të kuptohet si mesazh i gabuar për qarqet që promovojnë destabilizimin e situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por edhe tani në veri të Kosovës.

Ajo përsëriti se shqiptarët në Serbi janë të diskriminuar dhe shtypur për dekada të tëra, siç konfirmohet nga raportet zyrtare të Bashkimit Evropian dhe administratave amerikane.

“Përfshirja e zyrtarëve të tyre të zgjedhur në proces do të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë, evropianizimin dhe demokratizimin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj, zoti Lajçak, ju ftoj të takoheni me ne, përfaqësuesit e zgjedhur të shqiptarëve në Serbi”, tha Sinani.

Lajçak javën e kaluar në Prishtinë u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësues të opozitës, ndërsa sot në Beograd pritet të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, në kuadër të përgatitjeve për vazhdimin e bisedimeve për planin evropian për Kosovën dhe takimin Vuçiq – Kurti, më 18 mars në Ohër.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *