KOMUNA: BUJANOCI NË PROJEKTIN E MINISTRISË PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË DEPONISË

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 16. mars 2023. Përfaqësuesit e komunës së Bujanocit janë takuar me Ministren e Mbrojtjes së Mjedisit, Irena Vujoviq, për të diskutuar për zgjidhjen e çështjes së deponive josanitare, ndërsa në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komunave tjera të rrethit të Pçinjës. “Bujanoci ka hyrë në këtë projekt dhe është në një avantazh të madh në krahasim me komunat tjera në jug të Serbisë, sepse tashmë ka zgjidhur disa dispozita që nënkupton marrëveshja. Kjo është e një rëndësie të madhe për qytetin, sepse me këtë projekt do të zgjidhet problemi i madh i mbeturinave dhe deponive ilegale”, tha për Bujanoc, Fazila Azemoviq, kryetare e Drejtoratit për Investime dhe Zhvillim.
“Në nivel republike ekziston një strategji kombëtare për menaxhimin e mbeturinave dhe sipas asaj strategjie, deponia rajonale “Meteris” në Vranjë është një deponi rajonale ekologjike dhe të gjitha komunat e tjera duhet të kenë stacion transferues – thotë Azemoviq.
Siç thotë ajo, komuna e Bujanocit ka qenë ndër të parat që ka filluar ndërtimin e stacionit transferues, projekt ky i cili është financuar nga buxheti i Komunës dhe buxheti i Trupit Koordinues, ndërsa disa komuna janë përcaktuar për partneritet publiko-privat.
– Tema e takimit ishte nënshkrimi i një marrëveshjeje se si do të funksionojë në të ardhmen, gjegjësisht që qyteti i Vranjës duhet ta zgjerojë deponinë në atë nivel që të mund të grumbullojë mbeturinat komunale nga të gjitha komunat, sepse kapaciteti aktual i Deponisë tani është vetëm për Vranjën – shton Azemoviq.
Republika e Serbisë siguron mjete për këtë projekt përmes një kredie nga banka gjermane zhvillimore KFW dhe vetë projekti menaxhohet nga Ministria e Ndërtimit.
– Kur të krijohen kushtet, pra kur të zgjerohet deponia rajonale “Meteris”, do të fillojë të funksionojë stacioni transferues, i cili është një stacion ku futen dhe selektohen të gjitha mbetjet, pra gjithçka që mund të përdoret si lëndë sekondare. – thotë Azemoviq.
Bujanoci, siç thotë ajo, në takim ka hyrë në projekt, iu është ofruar një marrëveshje që ende nuk është nënshkruar, sepse duhet të kalojë përmes Këshillit Komunal dhe Kuvendit.
– Marrëveshja përmban udhëzime që duhet të përmbushë secila komunë dhe i referohen faktit që secila komunë duhet të ndërtojë një stacion transferues, duhet të sjellë lidhje me ujë dhe energji elektrike, duhet të ndërtojë rrugë hyrëse dhe duhet të zgjidhë çështjen e tokës në të cilën do të vendoset deponia – shpjegon Azemoviq .
Sipas saj, Bujanoci është në avantazh sepse tashmë e ka zgjidhur çështjen e tokës në të cilën ndodhen deponitë, gjegjësisht parcelat janë në pronësi të Komunës dhe të gjitha punët infrastrukturore që kanë të bëjnë me instalimet për stacionin transferues tashmë janë zgjidhur.
-Përmes këtij projekti do të forcohen kapacitetet e ndërmarrjeve publike komunale, pra do të rritet numri i kamionëve, buldozerëve dhe kontejnerëve të të gjitha llojeve – thotë kreu i Drejtoratit për Investime dhe Zhvillim.
Plani, thotë ai, është që çdo fshat ku ka rrugë të asfaltuar, të përfshihet në sferën e grumbullimit të mbeturinave dhe të vendosen kontejnerë të mëdhenj në çdo komunitet lokal, që automatikisht do t’u mundësojë të gjithë qytetarëve që të hedhin mbeturinat në vendin e caktuar. Ata që nuk e respektojnë këtë, pra që hedhin mbeturina jashtë kontejnerit, do të gjobiten.
Ajo që është e rëndësishme për qytetarët është se ata do të jenë në gjendje të fitojnë duke u kujdesur për mjedisin e tyre.
– Në hyrje të stacionit transferues do të vendoset një peshore e madhe e kamionit, në mënyrë që qytetarët të mund t’i klasifikojnë mbeturinat dhe t’i shesin ato (plastikë, letër, metal, etj.) – theksoi Azemoviq.
Do të formohet një kompani që do të menaxhojë deponinë rajonale ndërkaq në secilën komunë do të formohen lista çmimesh, sipas të cilave qytetarët do të shesin mbetjet që mund të përdoren si lëndë sekondare.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *