Bujanoc, 17. mars 2023. Bujanoci të shtunën (18 mars) do të presë bletarë nga i gjithë rajoni në Panairin e shtatë ndërkombëtar të bletarisë “Bleta nuk njeh kufij”, njoftoi Komuna e Bujanocit, e cila është sponsor financiar i panairit.
Panairi mbahet në Pallatin e Sporteve “Rinia” në Bujanoc, me fillim nga ora 10:00.
Pjesëmarrjen në panair, sipas Komunës, e kanë konfirmuar bletarët nga thuajse i gjithë Ballkani.
Panairi organizohet nga shoqatat e bletarëve nga Bujanoci “Polen 2012”, “Nektar 2022” dhe “Apicula”.
– Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë interesim, presim që ky të jetë panairi më i madh deri më tani, si nga numri i ekspozuesve ashtu edhe nga numri i vizitorëve – tha për portalin tonë Zarije Mitiq nga Shoqata “Polen 2012”.
Numri i stendave të planifikuara është 54, por, sipas Mitiqit, ka pasur shumë të interesuar për të cilët fatkeqësisht nuk ka pasur vend për shkak të kapacitetit të Pallatit të Sporteve.
– Kemi edhe një pjesë argëtuese të programit, në të cilin do të prezantohen 86 fëmijë nga EP “Gëzimi ynë” në Bujanoc me këngë, valle dhe recitim në temën e bletarisë – shton Mitiq.
Rëndësia e kësaj ngjarje u kuptua edhe nga Grupi i Përhershëm i Punës për Zhvillimin Rural Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore në partneritet me Organizatën Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), të cilët ofruan materiale promovuese për Panairin.