KONGRESMENËT INOCOJNË ÇËSHTJEN E ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE SHQIPTARE NË JUG TË SERBISË

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 18 mars 2023. Kongresmenët amerikanë Jim Hymes dhe Richie Torres i kërkuan Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, që të avokojë për reciprocitetin në të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë dhe serbëve në Kosovë, pra t’u mundësojë shqiptarëve të formojnë një komunitet të ngjashëm me asociacionin e komunave serbe. Letra e kongresmenëve është publikuar nga deputeti Shaip Kamberi, i cili ishte pjesë e një delegacioni të politikanëve shqiptarë nga jugu i Serbisë që dy javë më parë vizituan SHBA-në dhe lobuan për çështjen shqiptare në Kongresin amerikan.
Sipas tij, dy javë pas vizitës, “çështja e Luginës u zyrtarizua në krye të diplomacisë dhe vendimmarrjes politike amerikane dhe menjëherë para takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Sekretari Amerikan i Shtetit Blinken e mori një mesazh të fuqishëm nga Kongresi Amerikan në lidhje me Luginën e Preshevës”.
“Dialogu është menduar për të sjellë një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke, dhe duke pasur parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimin për të siguruar të drejta të barabarta për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Serbi, mund të sjell në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes”, thuhet ndër të tjera në letrën e kongresmenit.
Siç thanë ata, “plani aktual prej 11 pikash nuk përmend askund të drejtat e minoriteteve dhe ne insistojmë që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare”.
Në letër po ashtu thuhet se në dialog do të përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe kongresmenët kërkojnë që Blinken të mbrojë reciprocitetin në raport me pakicën shqiptare në jug të Serbisë dhe të mundësojë një asociacion të ngjashëm edhe për ta.
“Ne u jemi jashtëzakonisht mirënjohës miqve tanë në Kongres për mbështetjen e tyre të parezervë për kërkesat e drejta dhe legjitime të shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës”, thotë me këtë rast Kamberi.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë vizitës së tij në Bujanoc iu përgjigj pyetjes së gazetarëve të portalit tonë për kërkesat e shqiptarëve për themelimin e asociacionit të komunave shqiptare në jug të Serbisë dhe respektimin e reciprocitetit në të drejta dhe u përgjigj se kjo është e pakuptimtë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *