Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 22. mars 2023. Në Bujanoc është prezantuar sot procedura e ardhshme për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) përmes Kuvendit të elektorëve. Të interesuarit për procedurën e përzgjedhjes u sqaruan nga prof. Rejhan Kurtoviq, Sekretar Shtetëror në Ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Zuzana Pavlikova, Këshilltare e Lartë për Pakicat Kombëtare në Misionin e OSBE-së në Serbi.
prof. Dr Rejhan Kurtoviq
– Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së, ka mbajtur trajnimin për zgjedhjet e ardhshme për Këshillin Kombëtar Shqiptar këtu në Bujanoc. Dje të njëjtin trajnim e kemi pasur në Medvegjë, ndërsa sot do ta kemi edhe në Preshevë – tha sekretari shtetëror, prof. Dr.Kurtoviq.
Qëllimi i këtij trajnimi, thotë ai, është afrimi i procesit zgjedhor me komunitetin kombëtar shqiptar në Serbi, duke qenë se ata nuk i kanë zgjedhur organet qeverisëse pas zgjedhjeve të drejtëpërdrejta, sepse nuk ka pasur konsensus politik mes partive shqiptare. Ministria u detyrua të caktojë një Autoritet të Përkohshëm për të drejtuar këshillin deri në zgjedhjet e reja.
Zgjedhjet elektore për Këshillin Kombëtar të pakicës Shqiptare do të shpallen në ditët në vijim – shton Kurtoviq.
Duke pasur parasysh se kjo është hera e parë që mbahen zgjedhjet elektore për KKSH-në, ministria, sipas Kurtoviqit, synon të informojë sa më mirë për procedurat dhe të familjarizojë të gjithë aktorët e ardhshëm në zgjedhjet elektore, gjegjësisht t’i afrojë ato me mënyrën e kandidimit dhe të gjitha procedurat e tjera në mbajtjen e zgjedhjeve.
– Ekziston një interesim i madh i aktorëve politikë për zgjedhjet elektore, prandaj Qeveria e Republikës së Serbisë dhe Ministria përkatëse, si dhe organet e tjera të përfshira në procesin zgjedhor, po bëjnë përpjekje maksimale që këto zgjedhje të mbahen sa më shpejt dhe që bashkësia kombëtare shqiptare në Serbi të marrë një Këshill Kombëtar efektiv, i cili në të ardhmen do të kryejë detyra që kanë të bëjnë me përdorimin zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, informimit, arsimimit dhe kulturës së pakicës kombëtare shqiptare – thotë Kurtoviq.
Në vetë trajnimin kishte shumë pyetje, shumë deklarata të ndryshme dhe gjatë gjithë kohës ka pasur ndërveprim mes atyre që e kanë mbajtur vetë trajnimin dhe atyre që e kanë dëgjuar.
– Një nga pyetjet që i interesoi të pranishmit ishte se kur do të mbahen zgjedhjet, të cilës ne iu përgjigjëm se do të kujdesemi që ato të mos mbahen për Bajram, se zgjedhjet nuk përkojnë me të dhe se do të bëjmë të pamundurën që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt nga arsyeja se synimi është që pakica kombëtare shqiptare ta ketë organin e saj më të lartë përfaqësues në kapacitet të plotë – thekson Kurtoviq.
Të gjithë të pranishmit të cilët nuk ishin të qartë për detajet lidhur me mbajtjen e vetë kuvendit elektor, se kush mund të marrë pjesë, sa zgjedhës mund të ketë, sa zgjat dhe cila është procedura e mbledhjes së nënshkrimeve, morën sqarime shtesë.
– Përshtypja që dua të ndaj me ju është se anëtarët e pakicës kombëtare shqiptare janë shumë të interesuar për zgjedhjet e ardhshme elektore, se po përgatiten me kapacitet të plotë dhe se ky është një tjetër tregues se shumë shpejt do ta kemi Këshillin Kombëtar Shqiptar, që është edhe synimi i Qeverisë së Republikës së Serbisë, por edhe i pakicës kombëtare shqiptare që jeton në hapësirën tonë – tha për portalin tonë sekretari shtetëror, prof. Dr Rejhan Kurtoviq.
Afati për paraqitjen e kërkesave elektore është 30 ditë para ditës së mbajtjes së kuvendit elektor, ndërsa data do të caktohet më vonë pas shpalljes së zgjedhjeve.
15 anëtarë të KKSH-së zgjidhen në zgjedhje përmes asamblesë elektronike.
Çdo pjesëtar i pakicës kombëtare shqiptare që dëshiron të jetë elektor duhet të paraqesë mbështetjen me shkrim të të paktën 20 pjesëtarëve të pakicës kombëtare shqiptare, të regjistruar edhe në një listë të veçantë zgjedhore.