MUSTAFA: NUK SHQETËSON DEKLARATA E HILLIT, AMERIKA E KA PËR DETYRË QË SERBINË TA SHKËPUSË NGA NDIKIMI RUS

Bujanoc, 28. mars 2023. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Ragmi Mustafa thotë se nuk e shqetëson deklarata e ambasadorit amerikan Christopher Hill se çështja e shqiptarëve në Bujanoc dhe Preshevë nuk ka të bëjë fare me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, por është çështje e brendshme e Serbisë. Deklarata e Hillit u lidh nga Mustafa me përpjekjet për të ndarë Serbinë nga ndikimi rus.
-Ambasadori Hill, natyrisht, përfaqëson interesat amerikane në Serbi dhe përveç kësaj, ai ka për detyrë ta shkëpusë Serbinë nga ndikimi rus dhe ta kthejë atë nën ndikimin europerëndimor. Pra deklaratat e tij janë në atë drejtim” – tha Mustafa për Albanian Post.
Në pyetjen e Bujanovaçkes nëse SHBA-të i përkrahin politikanët shqiptarë nga Bujanoci dhe Presheva në kërkesat e tyre për reciprocitet, pra duke përfshirë çështjen e jugut të Serbisë në dialogun e Brukselit, Hill u përgjigj se pakica shqiptare është çështje e brendshme e Serbisë e cila nuk ka lidhje me dialogun Beograd-Prishtinë.
Megjithatë, Mustafa këmbëngul se “kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë të justifikuara” dhe beson se do të krijohet hapësirë për realizim.
Siç tha ai, ajo që u ofrohet serbëve në Kosovë nuk duhet t’u mohohet shqiptarëve në Serbi, sepse trajtimi i barabartë i minoriteteve do të sigurojë paqe të qëndrueshme në të gjithë rajonin.
– Simetria (në të drejtat e serbëve në Kosovë) është një mundësi për të krijuar një hapësirë më të madhe për pakicat në Ballkan, standardi që Serbia insiston për serbët e Kosovës do të prekë edhe vendet e tjera, të cilat do të kërkojnë të njëjtat standarde në raport me Beogradin. . Këto standarde nuk do të mbeten sui generis. Jam shumë i bindur se shumë shpejt do të vijë koha që Hungaria, Bullgaria, Rumania dhe Kroacia të kërkojnë të njëjtin standard në trajtimin e pakicave të tyre kombëtare në Serbi – thotë Mustafa.
Ai përsëriti se po kërkon nga qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës që siç tha ai, çështja e Luginës së Preshevës të jetë prioritet i politikës së tyre, gjë që aktualisht nuk është kështu.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *