Bujanoc, 29. mars 2023. Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, solli disa mesazhe të rëndësishme në jug të Serbisë, në radhë të parë për shqiptarët lokal ndërsa tërthorazi për autoritetet në Beograd.
Ajo që ai u tha shqiptarëve mund të përmblidhet në disa fjali, thelbi i të cilave është se Serbia është vendi i tyre, vendi ku ata jetojnë dhe se problemet e tyre duhet t’i zgjidhin në bashkëpunim me autoritetet shtetërore.
Ai këtë e ka theksuar në përgjigjen e pyetjes së portalit tonë pas takimit me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kur tha se vendi i tij nuk e përkrah përfshirjen e shqiptarëve në dialogun e Brukselit, si dhe reciprocitetin me të drejtat e serbëve në Kosovë e as formimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare.
Sipas tij, politika zyrtare e SHBA-së është të mbështesë dialogun e Brukselit dhe marrëveshjen e arritur, pjesë e rëndësishme e së cilës është themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe.
– Marrëveshja e arritur nuk ka ndërmend të kalojë kufijtë në asnjë mënyrë. Duhet të jem shumë i qartë kur them se dialogu në Bruksel ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Qëllimi i dialogut nuk është që të zgjidhen çështje të tjera, çështje të pakicave këtu apo në pjesë të tjera të vendit – tha Hill.
Ai, siç ka thënë në Bujanoc, ndër të tjera ka ardhur për të njoftuar opinionin vendas dhe përfaqësuesit e shqiptarëve me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër, duke ua bërë me dije se vendi i tij nuk do të lejojë askënd të prishë atë për të cilën palët janë marrë vesh dhe se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (Prishtinës dhe Beogradit) nuk duhet të devijojë nga binarët e vendosur tashmë.
Mirëpo, ai indirekt pranoi se shqiptarët në jug të Serbisë po ballafaqohen me probleme të shumta, por i udhëzoi se adresa për zgjidhjen e tyre është Beogradi dhe se do t’i kërkoj personalisht presidentit Vuçiq që të ndihmojë në tejkalimin e tyre.
Të gjitha këto ua ka përsëritur biznesmenëve lokal me të cilët ka darkuar të martën në një restorant të Bujanocit.
Nga ana tjetër, Hill tregoi edhe në Bujanoc se sa e rëndësishme është për vendin e tij ta nxjerrë Serbinë nga përqafimi i Moskës ndërsa se sa e rëndësishme kjo është për Amerikën, u pa edhe nga pjesëmarrja e ambasadorit në stërvitjet në Qendrën e Trajnimit të njësive operacionale shumëkombëshe në Bazën “Jug” afër Bujanocit.
“Një shfaqje e pabesueshme e fuqisë së bashkëpunimit mes Serbisë dhe Amerikës në fushën e sigurisë. Ne jemi më të fortë së bashku”, ka postuar Ambasada Amerikane në llogarinë e saj në Twitter.
Početna FILLIMI NGA BUJANOCI, DY MESAZHE TË RËNDËSISHME TË AMBASADORIT HILL DREJTUAR SHQIPTARËVE DHE QEVERISË NË BEOGRAD
NGA BUJANOCI, DY MESAZHE TË RËNDËSISHME TË AMBASADORIT HILL DREJTUAR SHQIPTARËVE DHE QEVERISË NË BEOGRAD
Bujanovačke29. Mar 2023.FILLIMI, POLITIKË0
Previous PostDREJTORËT E KOMUNALISË JANË ARRESTUAR PËR SHLYERJEN E BORXHEVE PËR SHËRBIMET KOMUNALE
Next PostARRESTOHET DREJTORI I KOMUNALISË RUZHDI HALILI