Bujanoc, 03 prill 2023. Klubi i futbollit Tërnoci nga Tërnoci i Madh afër Bujanocit ka njoftuar se pas skandalit në Vlladiçin Han, në ndeshjen e xhiros së 19-të të Zonës Jug të shtunën, po mendon të heqë dorë nga gara.
Ndeshja në Vladiçin Han ndërmjet skuadrës vendase Morava dhe FK Tërnoci u ndërpre në minutën e 65-të pasi tre lojtarë të skuadrës së Tërnocit morën karton të kuq.
“Shkaku kryesor për një përfundim të tillë të ndeshjes ishte arbitri që me vendime skandaloze përjashtoi 3 lojtarë në të njëjtën kohë dhe ndëshkoi pjesën tjetër të skuadrës me kartonë të verdhë, kështu që u detyruam ta ndërpresim ndeshjen – thonë nga ky klub.
Me këtë rast u shpreh edhe deputeti nga Tërnoci, Shaip Kamberi, i cili tha se kartonët e kuq janë të dedikuar për të gjithë shqiptarët.
“Kjo sjellje e turpshme e arbitrit, e paprecedentë në fushat e futbollit, ishte e qëllimshme, në mënyrë që skuadra jonë të mbetej pa lojtarë të parë në dispozicion për ndeshjet e radhës, veçanërisht për ndeshjen kundër Allakincës në xhiron tjetër”, thuhet në njoftimin e klubit.
Ata theksuan se tashmë është bërë e qartë se pengesa më e madhe për klubin e Tërnocit është Federata, ndërsa arsyeja kryesore është përkatësia kombëtare e futbollistëve.
“Është e pamundur të garosh në një ambient të tillë, sidomos nëse mendon se të tjerët të shikojnë me sy armiqësor. Është e pakuptimtë që djemtë tanë të djersiten dhe të rrezikojnë shëndetin e tyre në Ligë, zyrtarët e së cilës, në vend që të nxisin fer-playin sportiv dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi ndërmjet kombeve, mbjellin përçarje dhe urrejtje”, thonë nga klubi i Tërnocit.
Ata bënë të ditur se menaxhmenti në ditët në vijim do të marrë vendim nëse do të vazhdojnë pjesëmarrjen në gara.
KF TËRNOCI: FEDERATA KUNDËR NESH VETËM PSE JEMI SHQIPTARË
Bujanovačke3. Apr 2023.FILLIMI, SHOQËRI, SPORT0
Previous PostKAMBERI THOTË SE ARRESTIMET NË KOMUNALI JANË PRESION MBI SHQIPTARËT, ARIFI NUK ËSHTË DEKLARUAR ENDE
Next PostREAGIME TË BUJSHME TË MJEKËVE NË SHTËPINË E SHËNDETIT PËR SHKAK TË SPECIALIZIMEVE: DISKRIMINIM ME REGJI TË DREJTORESHËS