Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 01 prill 2023. Ndarja e specializimeve në Shtëpinë e shëndetit të Bujanocit shkaktoi pakënaqësi të madhe në kolektivin e kësaj strukture shëndetësore, mëson Bujanovaçke. Stefan Stoshiq nga Bujanoci, si dhe dr. Millica Timiq nga Bujanoci, mjeke me përvojë më të gjatë në krahasim me të gjithë kandidatët e tjerë, edhe pse aplikuan për specializim, megjithatë kjo iu mundësua kandidatëve partiakë – anëtarë apo simpatizues të SNS-së, proces ky i ndikuar drejtpërdrejt nga drejtoresha e Shtëpisë së shëndetit, Dr. Daliborka Pavlloviq, pohojnë burimet e portalit tonë nga Shtëpia e shëndetit, të cilët kanë dashur të mbeten anonim. Drejtoresha Pavlloviq i mohon këto pretendime dhe thekson se caktimi i specializimit dhe rangimit është kryer sipas të gjitha rregullave të përcaktuara.
– Ka një rregullore për pjesëmarrje dhe pikëzimin, që nuk përkon me përkatësinë politike. Ajo rregullore nënkupton që nota në fakultet, nota në lëndën për të cilën po aplikoni, kohëzgjatja e shërbimit dhe kontributi i punës i dhënë nga drejtori, i cili në përgjithësi është i njëjtë për të gjithë ata që kanë punuar, pra të gjithë kanë marrë numrin maksimal të pikëve (15) – thotë Dr. Pavlloviq për Bujanovaçke.
Mirëpo kontestohet pikërisht fakti se drejtoresha i ka dhënë 15 pikë për kontributin e dhënë, shumicës së kandidatëve, kështu që mjekët me përvojë më të gjatë pune dhe me numër të madh të pacientëve, që kanë punuar në ambulancën Covid, në shërbimin e urgjencës, si Dr. Stoshiq, në mënyrë tërësisht të padrejtë është privuar nga çdo avantazh i merituar, në raport me mjekët e tjerë.
Në këtë mënyrë, sipas burimeve tona në Shtëpinë e shëndetit, drejtoresha ka favorizuar disa nga mjekët dhe ka dëmtuar disa të tjerë. “Dhe kjo nuk është hera e parë”, thonë ata.
Dr Stefan Stoshiq
– Edhe pse gjithçka, siç do t’ju thotë me siguri ajo, është sipas rregullores, është e qartë se procesi është trukuar, ashtu që specializimet t’i fitojnë njerëzit e saj, pra kandidatët e përcaktuar nga partia, siç është edhe rasti me punësimin në Shtëpin[ë e shëndetit – thotë bashkëbiseduesi i Bujanovaçkes.
Bujanovaçke ka kontaktuar doktorin Stoshiq, por ai nuk ka pranuar të komentojë. Siç mësojmë, ai ka aplikuar për specializimin në mjekësi interne, të cilën e ka fituar doktoresha Jelena Stoilkoviq.
– Në favor të Dr. Stoshiqit ishte një përvojë e gjatë pune, numër i madh i pacientëve, puna me të sëmurët me Covid në Emergjencë, përveç të gjithave, ai është nga Bujanoci, jeton këtu me familjen e tij, kurse Dr. Jellena jeton në Vranjë. Andaj të kota janë ankesat tona për ikjen e njerëzve nga Bujanoci. A thua duhet të largohet edhe doktor Stefani, siç po planifikojnë të largohen edhe disa nga kolegët e tij, po ashtu nga Bujanoci, si pasojë e padrejtësive të drejtoreshës në disa konkurse të tjera për specializime në të kaluarën – thotë bashkëbiseduesi nga Bujanoci.
Sipas bashkëbiseduesve, është hipokrite pohimi i drejtoreshës se “vetëm ata që kanë munguar së fundmi, pra nuk kanë qenë të angazhuar në punë”. Me sa duket, kjo i referohet ekskluzivisht dr. Millica Timiq.
– Drejtoresha i dha doktoreshës Timiq vetëm 5 pikë sepse ajo ishte në pushim të lehonisë. Nga ana tjetër kemi doktoreshën Danijella, e cila po ashtu ka munguar për shkak të pushimit të lehonisë, por përkundër kësaj drejtoresha i jep maksimumin prej 15 pikësh për ta kaluar doktoreshën Timiq në numrin total të pikëve në specializimin për pediatri. Pra, për doktoreshën Timiq, e cila kthehet në punë në muajin maj, nuk ka sërish specializim, si vitet e kaluara, për shkak të trukeve të drejtoreshës e cila favorizoi doktoreshën e cila do të filloj së punuari vetëm pas një viti e gjysëm – thotë burimi i Bujanovaçkes.
Përndryshe Dr. Timiq, në të gjitha kategoritë ka më shumë pikë se sa kandidatët e tjerë dhe për specializim në pediatri dhe gjinekologji, përveç kategorisë në të cilën pikët varen nga drejtoresha Pavlloviq.
Ajo gjithashtu nuk ka dashur të komentojë rezultatin e konkursit për specializime.
Drejtoresha këmbëngul se caktimi i specializimit dhe renditjes është bërë në mënyrë transparente dhe se “absolutisht çdo gjë është respektuar dhe bërë sipas ligjit”.
Siç thotë ajo, vazhdimisht në këso raste pritet që nga të privuarit dikush të jetë i pakënaqur.
– Ndonjëherë duhet të jesh i mençur dhe të aplikosh për diçka për të cilën ke mundësi dhe jo të kërkosh me çdo kusht vetëm një specializim – tha drejtoresha.
Dr. Pavloviq u bë drejtoreshë në Shtëpinë e shëndetit në Bujanoc në shtator 2020, menjëherë pas zgjedhjeve lokale në të cilat bashkëshorti i saj Boban Pavlloviq u shfaq në një koalicion me SNS-në, duke ndryshuar kampin e tij para zgjedhjeve, duke lënë partnerin e tij afatgjatë të koalicionit Stojança Arsiq.
Vetëm dy javë pas marrjes së detyrës, drejtoresha zëvendësoi Sasha Arsiqin, një kundërshtar politik i progresistëve.
Një nga lëvizjet e saj më të diskutueshme ishte shkarkimi i doktor Dejan Stojanoviqit, po ashtu nga Bujanoci, nga posti i shefit të Emergjencës, gjë që u kundërshtua nga opinioni, por pa efekt.
Početna FILLIMI PAKËNAQËSI TË BUJSHME RRETH SPECIALIZIMEVE NË SHSH BUJNAOC: NUK KA VEND PËR BUJANOCAS, NDËRKOHË DREJTORESHA E MOHON RANGIMIN SIPAS VIJËS PARTIAKE
PAKËNAQËSI TË BUJSHME RRETH SPECIALIZIMEVE NË SHSH BUJNAOC: NUK KA VEND PËR BUJANOCAS, NDËRKOHË DREJTORESHA E MOHON RANGIMIN SIPAS VIJËS PARTIAKE
Bujanovačke3. Apr 2023.FILLIMI, SHOQËRI0
Previous PostKAMBERI: KJO NUK ËSHTË FER, KF “TËRNOCI” DËMTOHET RËNDË NË HAN ME KATËR KARTONA TË KUQ
Next PostMINISTRIA E IVICA TONÇEV, 4 MILIONË DINARË PËR KOMUNËN E BUJANOCIT