KONCERT NË PALLATIN E BARDHË PËR MBLEDHJEN E DONACIONEVE PËR SHKOLLËN E MUZIKËS NË BUJANOC

Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 05 prill 2023. Në Pallatin e Bardhë, sonte, më 5 prill, nën patronatin e princit të kurorës Aleksandër II Karagjorgjeviq, mbahet koncerti bamirës në mbështetje të talenteve të rinj nga Shkolla e Muzikës në Bujanoc. Ideja është që mjetet e grumbulluara të përdoren për të blerë instrumente për Shkollën e Muzikës në Bujanoc.
Organizator i koncertit humanitar është shoqata “Vivarte”, një organizatë vullnetare, joqeveritare dhe jofitimprurëse, e cila bashkon artistë muzikorë me qëllim arritjen dhe përmirësimin e synimeve të përbashkëta dhe të përgjithshme në fushën e muzikës.
-Njerëz të shoqatës “Vivarte” na kontaktuan, kërkuan të dhëna për shkollën, analiza të caktuara statistikore. Në bazë të rezultateve të marra na krahasuan me situatën në shkollat e tjera dhe vlerësuan se nevojitet një lloj ndihme për nxënësit e shkollës sonë, ndaj vendosën të dhurojnë instrumente muzikore për shkollën tonë – thotë për portalin tonë Maja Todoroviq, drejtoreshë e Shkollës së muzikës në Bujanoc.
Sipas saj, në organizimin e koncertit humanitar janë përfshirë persona nga Trupi Koordinues i Qeverisë së Republikës së Serbisë, si dhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili ka kontribuar duke siguruar një pjesë të parave për udhëtim dhe akomodimi, për të cilin ata janë veçanërisht mirënjohës.
Në koncertin e sontëm në Pallatin e Bardhë, përveç interpretuesve më të mirë të muzikës klasike, do të performojnë edhe nxënës të rinj e të talentuar të Shkollës së Muzikës në Bujanoc.
Qëllimi i shoqatës “Vivarte” është ndër të tjera përmirësimi i kulturës muzikore, edukimi muzikor dhe pedagogjia muzikore në art, pasurimi i jetës muzikore në të gjitha nivelet arsimore, si dhe ngritja e nivelit të kulturës muzikore dhe të arsimit dhe edukimit informal.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *