KOMUNALISË I ARRIJNË DY OFERTA PËR RIKONSTRUIMIN E FONTANAVE NË SHESH, JANË PLANIFIKUAR 4 MILIONË DINARË

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 11 prill 2023. Për rikonstruimin e dy fontanave në sheshin e Bujanocit, të cilat nuk funksionojnë për shtatë vite, NP “Komunalia” ka paraparë 4 milionë dinarë, ndërsa se cila kompani do të jetë fituese e tenderit do të dihet nesër (12 prill), iu tha portalit tonë në këtë ndërmarrje komunale.
Sipas shefit të prokurimit publik, Faton Rexhepi, për punën prej 4 milionë dinarësh janë pranuar dy oferta, njëra është ofertë e përbashkët nga dy kompani lokale: Burimi Drilling nga Samolica dhe kompania preshevare “Saba Bellça”, ndërsa tjetra është dërguar nga një kompani nga Çaçaku. Rexhepi nuk ka mundur të flasë për shumat e ofertave.
Ai tha se komisioni vendos sot se kujt do t’i besohet puna.
Komunalia paraprakisht ka konfirmuar se janë ndarë rreth 6.5 milionë dinarë për riparimin e fontanave dhe ndërrimin e pllakave në sheshin e qytetit. Paratë janë siguruar nga Komuna, përmes programit të veçantë për ndërmarrjen komunale, për të cilin ka shkruar Bujanovaçke.
Nëse gjithçka shkon mirë, do të bëjmë çmos që të gjitha të bëhen deri në ditën e Evropës, 9 maj, por jo gjithçka varet vetëm nga ne, procedura është në pyetje, do të shohim se kush do t’i përgjigjet tenderit, a do të ketë ndonjë ankesë dhe të ngjashme, sepse kjo do të vononte edhe më shumë fillimin e rindërtimit – kishte thënë drejtori Ruzhdi Halili në fillim të marsit. Sot ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve të portalit tonë.
Shatërvanet janë vendosur në vitin 2015, kur sheshi kryesor në Bujanoc është rikonstruktuar plotësisht për 65 milionë dinarë. Ata kanë punuar vetëm një verë, pas së cilës janë “tharë” dhe nuk janë riparuar deri më sot. Siç thanë autoritetet atëherë, problemi është te instalimet.
Rindërtimi i sheshit është bërë në kohën kur kryetar komune ishte Nagip Arifi, i cili edhe tani është në krye të vetëqeverisjes lokale.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *