PËR NXËNËSIT E “B. RADIÇEVIQ” DHE “S. SAVA” ORËT SHKURTOHEN NË 30 MINUTA DERI NË FUND TË VITIT SHKOLLOR

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 18 prill 2023. Pushimet e Pashkëve për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme përfundojnë sot dhe nxënësit do të kthehen në shkollë nga nesër. Për shkak të zhvendosjes, mësimi në dy shkolla të Bujanocit do të zgjasë 30 minuta deri në fund të vitit shkollor. Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Sveti Sava” bëri që nxënësit dhe arsimtarët të kalojnë në Fakultetin Ekonomik. Edhe klasat e ulëta të shkollës fillore “Branko Radiçeviq” u detyruan të shpërngulen.
Për nxënësit e klasës së dytë, të tretë dhe të katërt të shkollës fillore të Bujanocit, mësimi nga nesër do të zhvillohet në objektin në oborrin e shkollës, i cili para rindërtimit ishte i rezervuar për parashkollorët. Dhe kjo do të zgjasë deri në fund të vitit shkollor.
– Opsioni i vetëm i realizueshëm ishte që të gjitha klasat e ulëta të vazhdonin vitin shkollor në objektin tonë. Klasa e parë ka qenë atje që më parë. Dihet se për shkak të rikonstruksionit të shkollës sonë, klasat e dyta, të treta dhe të katërta u zhvendosën në gjimnazin “Sveti Sava” dhe tani në atë shkollë kanë filluar punimet, ndaj na u desh të kërkonim një mënyrë dhe një vend për vazhdimin e vitit shkollor – thotë për Bujanovaçke drejtori i Shkollës fillore Nenad Tasiq.
Mësimi do të organizohet në katër turne, me kohëzgjatje të shkurtuar të orëve të mësimit në 30 minuta. Janë planifikuar pesë orë për ndërrim, ashtu që, siç thotë Tasiq, mësimi do të përfundojë deri në orën 19:30.
Tasiq tha se pret që nga 1 shtatori, pra nga fillimi i vitit të ri shkollor të kthehet në shkollën e tyre, e cila është rinovuar së fundmi.
Bujanovaçke më herët ka shkruar se punimet rindërtuese kanë përfunduar, por se kthimi i nxënësve është vonuar për shkak të ngrohjes.
Për klasat e larta të kësaj shkolle mësimi do të vijojë të zhvillohet në gjimnazin “Sezai Suroi”, po ashtu me orë 30-minutëshe.
Nxënësit e “Sveti Savës” vitin shkollor do ta vazhdojë nesër në Fakultetin Ekonomik, siç ishte paralajmëruar paraprakisht. Mësimi për ta do të organizohet gjithashtu në katër turne me orë nga 30 minuta.
Rikonstruksioni i kësaj shkolle ende nuk ka nisur, por pritet të filloj në ditët në vijim.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *