TAKIMI VUÇIQ – KURTI MË 2 MAJ NË BRUKSEL

Bujanoc, 19 prill 2023. Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës në nivelin më të lartë do të vazhdojë në Bruksel më 2 maj, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kur priten të takohen sërish presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Temë e takimit do të jetë zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara, ndër të cilat është edhe Asociacioni i komunave serbe(AKS), për të cilën insiston Beogradi.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha të martën se është koha që AKS të bëhet realitet.
“Ajo që mund t’ju siguroj është se ne nuk do të dorëzohemi derisa të ndodhë kjo. Ka dy arsye: e para është se populli serb në Kosovë ka besim se marrëveshja e nënshkruar do të zbatohet. Dhe e dyta është se komuniteti serb duhet ta dijë se çfarë e ardhme e pret dhe prandaj ju siguroj se SHBA-të e marrin këtë obligim me seriozitetin më të madh”, tha Hill, transmeton RTS.
Zbatimi i asaj që u ra dakord në dialog do të jetë temë e takimit të ri të negociatorëve politikë më 2 maj në Bruksel. Më pas duhet të përcaktohet në detaje puna e komisionit të përbashkët për monitorimin e zbatimit, të cilin në ndërkohë e ka formuar Unioni.
Bashkimi Evropian në marrëveshje përfshin edhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
“Është e domosdoshme që të kthehemi në situatën ku serbët e Kosovës marrin pjesë aktive në administratën lokale, në polici dhe në gjyqësor në veri të Kosovës. Ne kemi nevojë që të dyja palët të luajnë rolin e tyre në këtë çështje”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Serbët në Kosovë nuk heqin dorë nga kushtet e kthimit në institucione. Ata kërkojnë formimin e Asociacioni i komunave serbe dhe tërheqjen e forcave speciale të Kosovës nga veriu.
Në katër komuna në veri kanë vazhduar nënshkrimin e peticionit për tërheqjen e forcave speciale të policisë nga zona, pas një sërë incidentesh.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *